Deputetët izraelitë pritet të votojnë të martën në mbrëmje për emërimin e deputetit të partisë deri më tani opozitare Yashar, Matan Kahana, për kryetar të Kuvendit, i njohur ndryshe edhe si Knesset, duke e zëvendësuar kryetarin e tanishëm, Amir Ohana, i cili vjen nga radhët e partisë së kryeministrit aktual, Benjamin Netanyahu.
Kahana e gëzon mbështetjen e katër partive në bllokun kundër Netanyahut, i udhëhequr nga kryetari i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, si dhe të dy partive me shumicë arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Së bashku, gjashtë partitë kanë 67 nga 120 ulëset e Knessetit, përbërja e re e të cilit u betua javën e kaluar. Një shumicë e thjeshtë prej 61 votash nevojitet për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.
Si nisi gjithçka?
Partia e Netanyahut tha se do ta nominojë për kryetar deputetin Ofir Katz. Likudi i akuzoi Eisenkotin dhe “bllokun e krahut të majtë” për zgjedhje “të njëanshme” të kryetarit të Kuvendit, dhe Kahanan për refuzim të një oferte për mbështetje nga Likudi në këmbim të mosemërimit të pjesëtarëve të partive të udhëhequra nga arabët në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit – pozita që deputetët arabë i kanë mbajtur disa herë, përfshirë një periudhë për mbi një dekadë, kur Netanyahu ishte kryeministër.
Partitë e bllokut të udhëhequr nga Likudi, ku përfshihen dy parti të së djathtës ekstreme, fituan gjithsej 53 ulëse në zgjedhjet e 27 tetorit, duke e humbur shumicën parlamentare.
Votimi për kryetarin e ri të Kuvendit vjen në kohën kur Eisenkoti po e synon formimin e qeverisë së re që do të përfshijë tri parti të tjera në bllokun e tij zionist kundër Netanyahut: Yisrael Beytenu, B’Yachad dhe Demokratët.
Debati për votimin e kryetarit të Kuvendit filloi në orën 16:00 sipas kohës lokale, ndërsa votimi pritet të bëhet më vonë. Televizioni “Channel 12” raportoi të martën se blloku i drejtuar nga Eisenkoti ishte i shqetësuar që deputetët rivalë mund të përpiqen që ta shtyjnë votimin përmes fjalimeve të gjata ose duke provokuar kaos në sallë.