×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Digjen ambulancat e organizatës hebraike në Londër

    Reporteri
    23 Mars 2026 | 14:45

    Tre persona, pjesë e një grupi terrorist të quajtur Ashab al-Yamin, i vunë flakën ambulancave që i përkisnin një shërbimi vullnetar hebre. Sipas autoriteteve, sulmi shkaktoi edhe thyerjen e xhamave të ndërtesave aty pranë, por nuk raportohet për të lënduar.

    Ngjarja ndodhi në Golders Green, një periferi në veri të Londrës, ku ndodhen disa sinagoga dhe dhjetëra shkolla e restorante hebraike.

    Gjashtë automjete zjarrfikëse dhe 40 zjarrfikës u dërguan për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa 30 persona u evakuuan si masë paraprake.

    Policia e Londrës deklaroi se kjo ngjarje po trajtohet si një krim urrejtjeje antisemit, ndërsa hetimet kanë nisur për identifikimin e personave të përfshirë në sulm.

    “Mendimet e mia janë me komunitetin hebraik që po zgjohet me këtë lajm të tmerrshëm”, reagoi kryeministri britanik Keir Starmer në një postim të menjëhershëm në X, ndërsa shtoi se “Antisemitizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë”.

    Britania e Madhe është përballur edhe më herët me sulme të ngjashme. Në tetor të 2025, dy hebrenj u vranë në një sulm me makinë dhe me thikë jashtë një sinagoge në Manchester.

    Sipas Community Security Trust, numri i incidenteve antisemite arriti nivele rekord në vitin 2024.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!