Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se e kishte paralajmëruar Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, se do të izolohej nëse vazhdonte sulmet ndaj Iranit, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
“I thashë: ‘Bibi, duhet të jesh i kujdesshëm, përndryshe shumë shpejt do të mbetesh i vetëm’”, ka deklaruar Trump.
Trump tha se Izraeli i dha ShBA’së “njoftim shumë të vonuar” për sulmet ndaj Iranit të dielën, të cilat tani janë ndalur. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Netanyahu sinjalizoi se sulmet mund të rifillojnë.
Ndërsa Trump vazhdon të punojë për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ai tha se pesë vende të rajonit i kërkuan të ndërhynte tek Netanyahu pas sulmeve të fundit.
“Këto vende ishin shumë të shqetësuara. Ato e pëlqejnë marrëveshjen që kemi qenë duke negociuar”, tha Trump, pa specifikuar se cilat vende e kishin kontaktuar.
Zyrtarët iranianë gjithashtu e kontaktuan atë, tha Trump, duke thënë se do t’i ndalonin sulmet nëse Izraeli tërhiqej.
“Ata na telefonuan dhe thanë se nuk do të kryejnë më sulme dhe na kërkuan t’i themi Izraelit të mos kryejë më sulme”, ka deklaruar Trump./Reporteri.net