FBI, me urdhër të drejtorit Kash Patel, ka shkarkuar të paktën gjashtë agjentë të lidhur me kontrollin e vitit 2022 në shtëpinë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Florida, raporton NBC News, përcjell Reporteri.net.
Shkarkimet ndodhën në të njëjtën ditë kur Kash Patel tha se autoritetet federale kishin siguruar të dhënat nga telefoni i tij gjatë administratës së Joe Biden, në lidhje me hetimet ndaj Trump.
“Është tronditëse dhe thellësisht alarmante që drejtuesit e mëparshëm të FBI në mënyrë të fshehtë kanë lëshuar thirrje ligjore për të marrë të dhënat e mia telefonike, së bashku me ato të shefes aktuale të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, duke përdorur pretekste të dobëta dhe duke e fshehur të gjithë procesin në dosje çështjesh të ndaluara, të projektuara për t’i shmangur çdo forme mbikëqyrjeje,” tha Patel të mërkurën në një deklaratë për Reuters.
Trump ishte përballur me akuza federale në dy çështje penale: njëra lidhur me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në pronën e tij Mar-a-Lago dhe tjetra në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Një gjyqtare e emëruar nga Trump rrëzoi çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ndërsa Jack Smith hoqi dorë nga çështja e zgjedhjeve kur ishte këshilltar i posaçëm, pasi Trump fitoi një mandat të dytë në vitin 2024. Trump u deklarua i pafajshëm në secilën çështje dhe mohoi akuzat.
Që kur Donald Trump u rikthye në detyrë, FBI ka larguar nga puna punonjës të lidhur me hetimet ndaj tij, si edhe me hetimin që çoi në qindra akuza kundër pjesëmarrësve në trazirat e 6 janarit. Një zyrtar i shkarkuar në fillim të administratës, David Sundberg, njoftoi së fundmi se po kandidon këtë vit për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një deklaratë të mërkurën, Asociacioni i Agjentëve të FBI i cilësoi shkarkimet që lidhen me Mar-a-Lago, si shkelje të procesit të rregullt ligjor.
“FBIAA dënon ndërprerjen e paligjshme të sotme të punësimit të agjentëve specialë të FBI-së, e cila, ashtu si shkarkime të tjera nga Drejtori Kash Patel, shkel të drejtat për proces të rregullt të atyre që rrezikojnë jetën për të mbrojtur vendin tonë,” thuhet në deklaratën e grupit të punonjësve.
“Këto veprime e dobësojnë Byronë”, u tha në reagim./Reporteri.net