Polonia është gati të reagojë ndaj çdo sulmi apo provokimi, tha kryeministri polak, Donald Tusk pasi vendi rrëzoi dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të gjerë rus në Ukrainën perëndimore.

“Kemi të bëjmë me një provokim në shkallë të gjerë… Jemi gati të sprapsim provokime të tilla. Situata është serioze dhe askush nuk dyshon se duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm”, tha Tusk, siç raporton Reuters.

Siç u njoftua, ushtria polake i ka dhënë fund operacionit të saj ushtarak.

Reklamë

“Operacionet e aviacionit polak dhe aleat në lidhje me shkeljet e hapësirës ajrore polake kanë përfunduar. Kërkimi dhe lokalizimi i vendeve të mundshme të ndikimit të objekteve që kanë shkelur hapësirën ajrore polake janë duke vazhduar.

“Duke pasur parasysh sigurinë e qytetarëve, ne kërkojmë që në rast të vëzhgimit të një objekti të panjohur ose mbeturinave të tij, mos i afroheni, mos e prekni ose mos e lëvizni atë. Elementë të tillë mund të përbëjnë një kërcënim dhe përmbajnë materiale të rrezikshme. Ato duhet të inspektohen plotësisht nga shërbimi përkatës”, u bë e ditur në njoftim.

Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Polonisë njoftuan se do ta shkurtojnë kohën e raportimit për ushtarët.

Forca, e përbërë nga ushtarë profesionistë dhe vullnetarë me kohë të pjesshme, ka kërkuar nga ushtarët në katër provinca lindore të raportohen brenda gjashtë orësh nëse marrin kërkesë për t’u paraqitur, sipas postimit të saj në X.

Anëtarët e NATO-s në Poloni kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime./Reporteri.net/

Reklamë