×
  • Lajme
  • Extra
  • Botë

    Elon Musk njofton se do të jap dorëheqje si CEO i Twitter

    Reporteri
    21 Dhjetor 2022 | 18:20

    Elon Musk ka njoftuar dorëheqjen e tij si administrator i Twitter. Një lëvizje kjo në stilin e Musk, por që duket se kërkon kohë. “Do të jap dorëheqjen si CEO sapo të gjej dikë mjaftueshëm budalla për të marrë detyrën”, shkroi ai në Twitter.

    Shefi i Tesla-s më pas nënvizoi se sapo të largohet nga detyra do të drejtojë skuadrat për softuerin dhe serverët e platformës sociale.

    Në orët e fundit, Musk kishte hapur një sondazh në të cilin ai pyeti drejtpërdrejt përdoruesit e tij, nëse duhej të jepte dorëheqjen nga roli i shefit të Twitter.

    Kështu Musk, përmbushi premtimin e tij ndaj ndjekësve për të respektuar rezultatin e sondazhit, në të cilin 57.5% e tyre votuan “po” në favor të dorëheqjes kundrejt 42.5% që e dëshironin ende atë në krye.

    Njoftimi vjen pasi mediat amerikane mësuan nga burime brenda Twitter se manjati vizionar po kërkonte në mënyrë aktive një CEO të ri për kompaninë e San Franciskos.

    Por kush do të marrë detyrën pas Elon Musk? Miliarderi nuk jep detaje për kohën e dorëheqjes së tij apo edhe për emrin e pasuesit të tij të mundshëm.

    “Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter-in gjallë”, i vuri në dukje ai një përdoruesi. Sipas disa spekulimeve të raportuara nga Financial Times, një nga kandidatët idealë do të ishte Sheryl Sandberg, ish-shefi operativ i Metës që e shndërroi kompaninë në një gjigant reklamash digjitale. Megjithatë, menaxheri mund të mos dëshirojë të marrë drejtimin e një kompanie tjetër të mbushur me çështje të moderimit të përmbajtjes.

    Një tjetër emër është ai i Sarah Friar, CEO i Nextdoor, ish-drejtoreshë financiare e kompanisë së pagesave Block, e krijuar nga bashkëthemeluesi i Twitter, Jack Dorsey. Megjithatë, nuk përjashtohet rikthimi i këtij të fundit, i cili tashmë ka dhënë dorëheqjen dy herë si shef./A2CNN

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!