Administrata e Donald Trumpit javën e kaluar dërgoi një person të pazakontë në një sërë takimesh në momentin kur negociatat për përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës morën një drejtim krejtësisht të papritur.

Sekretari më i ri i ushtrisë në historinë amerikane, 39-vjeçari Dan Driscoll, shpesh i quajtur “njeriu i Trumpit për dronët” për shkak të mbështetjes së tij për teknologjitë moderne luftarake, më herët ka qenë kryesisht i njohur për çështje që lidhen me buxhetin, logjistikën dhe personelin brenda degës më të madhe të ushtrisë amerikane. Nuk duket se Driskol ka një të kaluar të gjatë pune me Rusinë apo Ukrainën, as përvojë të madhe diplomatike, dhe nuk ka ushtruar kurrë funksion publik.

Miqësia e tij me nënpresidentin aktual JD Vance e solli në rrethin e ngushtë të njerëzve rreth Trumpit. Ashtu si Vance, edhe ai ndoqi një universitet publik para se t’i bashkohej ushtrisë amerikane, ndërsa më vonë përfundoi fakultetin juridik në Yale. Të dy, para hyrjes në shërbimin shtetëror, kanë punuar edhe në sektorin financiar.

Reklamë

Ai tregoi se e kishte njohur Vance përmes një organizate studentësh veteranë, brenda së cilës Vance këshillonte studentët e rinj se është normale të ndihen sikur nuk u përkasin në fillim, por se shumë shpejt do të arrinin rezultate të shkëlqyera. Pas kësaj, Vance u bë miku dhe mentori i tij.

Përfshirja në fushatë

Gjatë verës së vitit 2024, ndërsa ishte me pushime familjare në Zvicër, Driscoll e telefonoi Vance dhe i njoftoi se do të ishte kandidati i Trumpit për nënpresident, si dhe e ftoi t’i bashkohej fushatës.

Pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Driskol u konfirmua shpejt nga Senati në postin e sekretarit të ushtrisë. Ndikimi i tij u rrit pasi ai u bë figurë kyçe në dislokimin e Gardës Kombëtare në qytetet amerikane, pas së cilës përkohësisht mori edhe detyrën e drejtorit të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve.

Ai shpesh ka folur për luftën në Ukrainë, duke theksuar se dronët ukrainas janë teknologji e lirë dhe masivisht e prodhueshme që tregon efikasitet të madh në luftim. Megjithatë, menjëherë pas emërimit të tij si sekretar i ushtrisë nuk kishte shenja se ai do të merrte pjesë në bisedimet e paqes — Trump atëherë mbështetej më shumë te i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, i cili punonte në një propozim për armëpushim.

Reklamë

Kur javën e kaluar rrjedhën detajet e draftit të paqes që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kishin përgatitur së bashku, Ukraina menjëherë shprehu shqetësimin për disa dispozita kyçe.

Pak më vonë, Driskol erdhi papritur në Ukrainë i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Pentagonit, duke përbërë kështu delegacionin ushtarak amerikan më të rëndësishëm që ka vizituar Kievin që kur Trump mori detyrën në janar. Sipas zëdhënësit të ushtrisë amerikane, qëllimi i vizitës ishte takimi me autoritetet ukrainase dhe diskutimi i përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Gjatë vizitës, Driscoll u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe më pas, sipas Politico-s, ishte i ftuar nderi në një pritje në rezidencën e ambasadorit amerikan.

Në ditët që pasuan, ai mori pjesë në bisedime të tjera me zyrtarë ukrainas në Gjenevë, së bashku me sekretarin e shtetit Marco Rubio, Witkoff dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, dhe ndihmoi në formulimin e një “kornize të përditësuar dhe të saktësuar të paqes”. Sipas CBS News, më pas ai zhvilloi bisedime edhe me përfaqësuesit rusë në Abu Dhabi.

Reklamë

Në një postim në rrjete sociale të martën, Trump deklaroi se, në përpjekje për të finalizuar planin e paqes, i ka ngarkuar Witkoff-it të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ndërsa Driskol do të udhëheqë komunikimin me palën ukrainase.

Në arsyetimin e nominimit të Driskolit për sekretar të ushtrisë, Trump ka theksuar se Driscoll posedon “një kombinim të fuqishëm përvojash për të vepruar si faktor i çrregullimit dhe agjent ndryshimesh”.

Disa në Washington spekulojnë se shfaqja e tij gjithnjë e më e shpeshtë në skenën ndërkombëtare dhe karakteristikat e tij personale mund të nënkuptojnë se Driskol një ditë mund ta zëvendësojë Pete Hegseth në postin e sekretarit të mbrojtjes, nëse Hegseth ndonjëherë vendos të japë dorëheqjen./Reporteri.net/

 

Reklamë