Aktivistët pro-palestinezë kanë deklaruar se forcat izraelite kanë ndërhyrë ndaj një flotiljeje me më shumë se 50 anije që po transportonin ndihma humanitare për Gazën, në ujërat ndërkombëtare në perëndim të Qipros.
Sipas Flotiljes Globale Sumud (GSF), anijet janë ndaluar dhe kontrolluar rreth 250 milje detare (460 kilometra) larg Gazës, zonë që ndodhet nën bllokadën detare të Izraelit. Në pamjet e publikuara nga aktivistët shihen komandot izraelite duke hipur në disa prej anijeve.
GSF e cilësoi operacionin si “një tjetër agresion të paligjshëm në det të hapur”, ndërsa autoritetet izraelite e mbrojtën ndërhyrjen si masë sigurie.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se operacioni kishte për qëllim “neutralizimin e një plani për të thyer izolimin e vendosur ndaj Hamasit në Gaza”.
Kjo nuk është hera e parë që flotilja ndalohet. Muajin e kaluar, forcat izraelite interceptuan 21 anije të së njëjtës flotilje pranë ishullit të Kretës.
Në atë operacion u ndaluan 181 aktivistë, të cilët u liruan pothuajse të gjithë një ditë më vonë në territorin grek, pas reagimeve dhe kritikave ndërkombëtare.
Dy aktivistë, spanjolli Saif Abu Keshek dhe braziliani Thiago Ávila, u dërguan në Izrael për marrje në pyetje dhe më pas u deportuan, pasi kaluan 10 ditë në paraburgim.
Pas incidentit, pjesa tjetër e flotiljes u drejtua për në portin turk të Marmarisit, nga ku 54 anije u nisën të enjten e kaluar drejt Gazës. Sipas organizatorëve, në mision marrin pjesë mbi 420 aktivistë nga 39 vende të botës.