Britania e Madhe vlerëson se gati 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ka deklaruar drejtoresha e agjencisë britanike të inteligjencës elektronike GCHQ, Anne Keast-Butler.
Në fjalimin e saj të parë publik, të mbajtur në Bletchley Park, Keast-Butler paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar po përballet me një “moment vendimtar”, duke akuzuar Rusinë se po synon vazhdimisht infrastrukturën kritike, proceset demokratike dhe zinxhirët e furnizimit në Britani dhe vendet e NATO-s.
Ajo tha se Kremlini po zhvillon një “luftë hibride” kundër Perëndimit, përmes sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe operacioneve të fshehta të spiunazhit. Sipas saj, GCHQ po punon ngushtë me partnerët e inteligjencës dhe mbrojtjes për të zvogëluar kërcënimin rus.
Ndërkohë, Rusia ka mohuar akuzat.
Edhe pse Moska dhe Kievi publikojnë rregullisht pretendime për humbjet e njëra-tjetrës, të dyja palët rrallë japin shifra zyrtare për humbjet e veta. Në muajin shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina ka humbur rreth 55 mijë ushtarë që nga fillimi i luftës.
Shërbimi rus i BBC-së, së bashku me median e pavarur Mediazona dhe një grup vullnetarësh, kanë identifikuar deri më tani mbi 223 mijë ushtarë dhe oficerë rusë të vrarë në luftë, përmes verifikimit të varrezave, memorialeve dhe njoftimeve publike. Ekspertët ushtarakë besojnë se numri real i viktimave është dukshëm më i lartë.
Keast-Butler ngriti shqetësime edhe për avancimin teknologjik të Kinës, duke thënë se Pekini tashmë është një superfuqi në shkencë dhe teknologji, me kapacitete të sofistikuara në inteligjencë, kibernetikë dhe ushtri.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se inteligjenca artificiale dhe sulmet kibernetike po paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha për sigurinë kombëtare, duke u bërë thirrje bizneseve dhe qytetarëve që të forcojnë mbrojtjen digjitale dhe sigurinë online.