Gazetarët në Izrael kanë ngritur shqetësimin se liria e medias në vend rrezikon të goditet rëndë, pas vendimit të miliarderit britanik Leonard Blavatnik për të shitur gati 15% të aksioneve të televizionit komercial Channel 13.
Blavatnik, i renditur nga Sunday Times si personi i tretë më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar, po ia shet këtë pjesë aksionesh manjatit të telekomunikacionit Patrick Drahi, i cili ka shtetësi franceze, portugeze dhe izraelite. Drahi zotëron tashmë një kompani kabllore dhe një kanal informativ në Izrael, që njihet për një qasje shumë më pak kritike ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Channel 13 ka transmetuar në vitet e fundit reportazhe dhe investigime kritike ndaj qeverisë Netanyahu, përfshirë edhe çështje që lidhen me financat e kryeministrit. Sipas kritikëve, kalimi i aksioneve tek Drahi mund të ndikojë drejtpërdrejt në linjën editoriale të kanalit.
Unioni i Gazetarëve në Izrael e ka cilësuar marrëveshjen si “të paligjshme” dhe ka paralajmëruar se ajo mund të jetë pjesë e një plani më të gjerë për të kapur median përpara zgjedhjeve të planifikuara këtë vit. Organizata shprehu besimin se Blavatnik, i njohur për aktivitetet e tij filantropike, do të rishqyrtojë vendimin.
Edhe pse ligji izraelit i konkurrencës lejon shitjen e deri në 15% të aksioneve një konkurrenti që zotëron tashmë asete mediatike, kritikët argumentojnë se në praktikë Drahi mund të marrë kontroll të plotë, duke qenë se është i vetmi investitor i gatshëm të financojë më tej kanalin, i cili ka pësuar humbje të mëdha financiare ndër vite.
“Frika jonë është se duke blerë 15%, ai do të ketë 100% të kontrollit mbi politikën editoriale”, është shprehur Anat Saragusti, përgjegjëse për lirinë e shtypit në Unionin e Gazetarëve.
Nga ana tjetër, një konsorcium sipërmarrësish liberalë izraelitë të teknologjisë ka paraqitur një ofertë alternative për 74% të aksioneve të Channel 13, duke premtuar investime nga 80 deri në 120 milionë dollarë në tre vitet e ardhshme për modernizimin e kanalit. Megjithatë, negociatat nuk janë finalizuar.
Kompania kryesore e Blavatnik, Access Industries, ka mohuar çdo presion politik për përzgjedhjen e ofertës së Drahi-t, duke theksuar se propozimi i tij ishte financiarisht më i favorshëm dhe garantonte injektim të menjëhershëm fondesh për stabilitetin dhe transformimin digjital të kanalit.
Ndërkohë, klima për median në Izrael është tensionuar. Qeveria ka ndërmarrë hapa të diskutueshëm ndaj mediave kritike. Një ministër ka paditur një gazetare investigative të Channel 12 për dëmshpërblim rekord, ndërsa ndaj gazetës së pavarur Haaretz janë vendosur sanksione financiare për shkak të qëndrimeve kritike ndaj luftës në Gaza.
Çështja e Channel 13 po shihet si një pikë kthese për pluralizmin mediatik në vend. Sipas përfaqësuesve të Unionit të Gazetarëve, nëse kanali humbet pavarësinë editoriale, rrezikohet i gjithë ekuilibri i medias së lirë në Izrael.