×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Gjenerali i lartë i Putinit qëllohet disa herë me armë në mes të Moskës

    Reporteri
    06 Shkurt 2026 | 11:08

    Një zyrtar i lartë ushtarak rus është qëlluar në Moskë, raportojnë mediat botërore.

    Gjenerali  Vladimir Alekseyev u qëllua disa herë në shkallët e apartamentit të tij të premten nga një person i panjohur në pjesën veriperëndimore të qytetit dhe mbetet në gjendje kritike, sipas raporteve fillestare, raporton The Guardian.

    Alekseyev është zëvendës-drejtor i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake, GRU, një njësitë e ministrisë së mbrojtjes e njohur për organizimin e operacioneve të fshehta jashtë vendit, përfshirë atentate, sabotime dhe spiunazh.

    Ai ishte një nga oficerët kryesorë që i siguronte Vladimir Putinit inteligjencë për pushtimin e plotë të Ukrainës në 2022.

    Gjithashtu është përshkruar gjerësisht si figurë kyçe që mbikëqyr kompanitë private ushtarake të vendit dhe ishte ndër zyrtarët e lartë të dërguar për të negociuar me Yevgeny Prigozhin gjatë rebelimit të shkurtër të grupit Wagner në verën e 2023.

    Alekseyev është nën sanksione nga Washingtoni për përfshirjen e tij të dyshuar në përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në 2020. Britania e Madhe gjithashtu vendosi sanksione ndaj tij për sulmin vdekjeprurës me agjent nervor novichok në Salisbury në 2018.

    Asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësinë për qëllimin e Alekseyevit, por dyshimi në Moskë pritet të bie mbi Kievin. Agjencitë ukrainase të inteligjencës kanë synuar dhjetëra oficerë ushtarakë rusë dhe zyrtarë të vendosur nga Rusia që nga fillimi i luftës, duke i akuzuar për përfshirje në krime lufte.

    Sulmi ndodhi një ditë pas takimit të delegacioneve ruse dhe ukrainase – përfshirë shefin e drejtpërdrejtë të Alekseyevit, Igor Kostyukov – në Abu Dhabi, ku të dy palët folën për përparim të dukshëm në bisedimet e paqes.

    Disa në Moskë menjëherë fajësuan Ukrainën, duke pretenduar pa prova se Kiev po përpiqej të pengonte bisedimet. /Reporteri.net/

    “

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!