Sipas një raporti të publikuar këtë të hënë nga Amnesty International, Irani ka regjistruar një numër tronditës ekzekutimesh gjatë vitit 2025.
Organizata tha se në këtë shtet janë ekzekutuar 2 mijë e 159 persona, duke tejkaluar rekordin e vitit 1981 dhe duke shënuar shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në një shtet të vetëm që nga ai vit.
Amnesty theksoi se autoritetet iraniane kanë intensifikuar përdorimin e dënimit me vdekje si mjet shtypjeje politike dhe kontrolli, sidomos pas protestave antiqeveritare dhe konfliktit të vitit 2025 me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Teheranin se po kufizon liritë civile dhe po hesht disidencën përmes dënimeve kapitale.
Raporti vlerëson se në mbarë botën janë kryer të paktën 2 mijë e 707 ekzekutime gjatë vitit 2025, pa përfshirë Kinën, ku besohet se kryhen mijëra ekzekutime çdo vit, por të dhënat mbahen sekret nga autoritetet shtetërore.
Amnesty tha se rritje të ndjeshme të ekzekutimeve janë regjistruar edhe në Arabinë Saudite, Kuvajt, Egjipt, Jemen dhe Shtetet e Bashkuara.
Arabia Saudite kreu të paktën 356 ekzekutime, ndërsa në SHBA numri arriti në 47, niveli më i lartë që nga viti 2009. Në Florida u regjistrua një rritje e paprecedentë me 19 ekzekutime gjatë vitit.