Një “nivel mirëkuptimi” është arritur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për shumë çështje, por një marrëveshje nuk pritet të arrihet së shpejti, deklaroi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei.
“Nuk ka asnjë garanci që Shtetet e Bashkuara do t’u përmbahen zotimeve të tyre”, tha Baghaei gjatë një konference për media në Teheran.
Ai shtoi se programi bërthamor i Iranit nuk është pjesë e diskutimeve në këtë fazë dhe përsëriti kërkesën e Teheranit që lufta të përfundojë në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Sipas tij, Irani dëshiron të shtyjë negociatat për detajet e programit bërthamor derisa të shpallet zyrtarisht fundi i luftës.
Baghaei tha se Teherani ka parë vazhdimisht ndryshime në qëndrimet e administratës së Donald Trump. “Brenda vetëm pak orësh mund të dëgjohen qëndrime krejtësisht të ndryshme, madje shpesh kundërthënëse”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo “e vështirëson çdo proces negociues”.
Ai refuzoi ta përshkruajë planin e Iranit për përfitime financiare nga Ngushtica e Hormuzit si “taksë kalimi”, duke thënë se bëhet fjalë për tarifa për “shërbime” si navigimi dhe mbrojtja e mjedisit.
“Çdo shtet i përgjegjshëm do ta mirëpriste krijimin e një mekanizmi të besueshëm dhe të parashikueshëm për menaxhimin e tranzitit dhe lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit”, shtoi ai.
/CNN/Reporteri.net/