Zyrtarët iranianë sinjalizuan këtë të mërkurë se gjyqe të shpejta dhe ekzekutime priten për të dyshuarit e ndaluar në protestat mbarëkombëtare, ndërsa Republika Islamike premtoi një “përgjigje vendimtare” nëse SHBA-të ose Izraeli ndërhyjnë në trazirat e brendshme.
Kërcënimet dolën në pah ndërsa një pjesë e personelit në një bazë ushtarake amerikane në Katar u këshillua të evakuohej deri të mërkurën në mbrëmje, pas paralajmërimeve të presidentit Donald Trump për veprime të mundshme ushtarake mbi vrasjen e demonstruesve paqësorë.
Mohammad Pakpour, komandant i Gardës Revolucionare paramilitare të Iranit, përsëriti pretendimet iraniane, pa dhënë prova, se SHBA-të dhe Izraeli kanë nxitur protestat dhe se ata janë vrasësit e vërtetë të protestuesve dhe forcave të sigurisë që kanë humbur jetën në trazira, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. Ai shtoi se ato vende do të “marrin përgjigjen në kohën e duhur.”
Më herët të mërkurën, Gholamhossein Mohseni-Ejei, kreu i gjyqësorit iranian, tha se qeveria duhet të veprojë shpejt për të ndëshkuar mbi 18 mijë persona të ndaluar përmes gjyqeve të shpejta dhe ekzekutimeve. Aktivistët paralajmëruan se varje të të ndaluarve mund të ndodhin së shpejti. Shtypja e forcave të sigurisë ndaj demonstratave ka vrarë të paktën 2 mijë e 586 persona, raportoi Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA. Ky bilanc tejkalon çdo raund tjetër protestash ose trazirash në Iran për dekada dhe rikujton kaosin e Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Kolapsi i monedhës nxiti demonstratat
Protestat nisën më 28 dhjetor pas kolapsit të monedhës iraniane rialit, ndërsa ekonomia e vendit po shtrëngohet nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura pjesërisht për programin bërthamor. Trump ka paralajmëruar vazhdimisht për veprime të mundshme ushtarake amerikane mbi vrasjen e protestuesve paqësorë, vetëm disa muaj pasi forcat amerikane bombarduan objektet bërthamore iraniane gjatë një lufte 12-ditore të nisur nga Izraeli kundër Republikës Islamike në qershor.
Të mërkurën, një funeral masiv u mbajt për rreth 100 pjesëtarë të forcave të sigurisë të vrarë në demonstrata. Dhjetëra mijëra të pranishëm morën pjesë, duke mbajtur flamuj iranianë dhe fotografi të Ajatollah Ali Khamenei. Arkivolet, të mbuluara me flamuj iranianë, ishin vendosur deri në tre shtresa. Trëndafila të kuq e të bardhë dhe fotografi të të vrarëve i mbulonin ato.
Njerëzit në rrugë mbetën të frikësuar. Forcat e sigurisë civile ende patrullonin disa lagje, megjithëse policia anti-revoltave dhe pjesëtarët e forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare dukeshin se ishin kthyer në kazermat e tyre.
“Jemi shumë të frikësuar nga këto zhurma (të armëve) dhe protestat,” tha një nënë e dy fëmijëve ndërkohë që blinte fruta e perime, e cila foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes. “Kemi dëgjuar se shumë janë vrarë dhe shumë janë plagosur. Tani paqja është rikthyer, por shkollat janë mbyllur dhe kam frikë t’i dërgoj fëmijët e mi në shkollë përsëri.”
Ahmadreza Tavakoli, 36 vjeç, i tha Associated Press se pa një demonstratë në Teheran dhe u trondit nga përdorimi i armëve nga autoritetet.
“Njerëzit dolën për të shprehur veten dhe për të protestuar, por shpejt u kthye në një zonë lufte,” tha ai. “Njerëzit nuk kanë armë. Vetëm forcat e sigurisë kanë armë.”
“Duhet ta bëjmë shpejt”
Komentet e Mohseni-Ejei për gjyqe të shpejta dhe ekzekutime u bënë në një video të shpërndarë nga televizioni shtetëror iranian online.
“Nëse duam të bëjmë një punë, duhet ta bëjmë tani. Nëse duam të bëjmë diçka, duhet ta bëjmë shpejt,” tha ai. “Nëse vonohet, dy muaj, tre muaj më vonë, nuk ka të njëjtin efekt. Nëse duam të bëjmë diçka, duhet ta bëjmë shpejt.”
Këto komente përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj Trump-it, i cili paralajmëroi Iranin për ekzekutimet në një intervistë për CBS-në të transmetuar të martën.
“Nëse ata bëjnë një gjë të tillë, ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta,” tha Trump.
“Nuk duam të shohim çfarë po ndodh në Iran. Dhe e dini, nëse duan të kenë protesta, kjo është një gjë. Kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani më thoni për varje, do të shohim si do t’u shkojë. Nuk do të shkojë mirë.”
Një diplomat nga Gjiri Arabik i tha AP-së se qeveritë kryesore të Lindjes së Mesme po dekurajonin administratën Trump nga nisja e një lufte me Iranin, duke pasur frikë nga “pasoja të paprecedentë” për rajonin që mund të shpërthente në një “luftë të plotë.” Diplomati foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me gazetarët.
Shërbimi i internetit satelitor
Qeveria iraniane e ndërpreu internetin dhe thirrjet ndërkombëtare më 8 janar. Aktivistët thanë të mërkurën se Starlink po ofronte shërbim falas në Iran. Ky shërbim satelitor ka qenë kyç për të kapërcyer ndërprerjen e internetit. Irani filloi të lejonte thirrjet ndërkombëtare dalëse të martën përmes telefonave celularë, por thirrjet hyrëse nga jashtë vendit mbeten të bllokuara.
“Ne mund të konfirmojmë se abonimi falas për terminalet Starlink është plotësisht funksional,” tha Mehdi Yahyanejad, një aktivist me bazë në Los Angeles që ka ndihmuar në futjen e pajisjeve në Iran. “E testuam duke përdorur një terminal Starlink të aktivizuar rishtazi brenda Iranit.”
Vetë Starlink nuk e pranoi menjëherë vendimin. Personeli i shërbimeve të sigurisë duket se po kërkonte antenat e Starlink, pasi njerëzit në veri të Teheranit raportuan se autoritetet po bastisnin ndërtesa apartamentesh me antena satelitore. Ndërsa antenat e televizionit satelitor janë të paligjshme, shumë në kryeqytet i kanë në shtëpi, dhe zyrtarët në përgjithësi kishin hequr dorë nga zbatimi i ligjit vitet e fundit.
Bilanci i viktimave vazhdon të rritet
Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut tha se 2 mijë e 417 nga të vrarët ishin protestues dhe 147 ishin të lidhur me qeverinë. Dymbëdhjetë fëmijë u vranë, së bashku me 10 civilë që nuk merrnin pjesë në protesta. Më shumë se 18 mijë e 400 persona janë ndaluar, tha grupi./AP/