Irani kundërshton përdorimin e aseteve të ngrira për dëmshpërblimin e vendeve të Gjirit.
Lajmi u konfirmua nga Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, i cili me anë të një postimi në rrjetin social X, deklaroi se asetet e Iranit “nuk janë plaçkë lufte për Uashingtonin dhe as fond pagese për aleatët e tij”.
“Asetet e Iranit nuk janë as plaçkë lufte e Uashingtonit dhe as një fond për të paguar aleatët e tij. Propozimi për përdorimin e aseteve iraniane për rindërtimin e dëmeve të pretenduara nga disa aleatë rajonalë të SHBA-së përfaqëson një nivel të ri arrogance nga ana e Shteteve të Bashkuara. Nëse Uashingtoni, si agresori kryesor në agresionin ushtarak kundër Iranit, dëshiron vërtet të kompensojë dëmet, duhet të fillojë nga vetja dhe nga entiteti që mban përgjegjësinë kryesore për nxitjen e luftës, agresionit dhe destabilitetit në rajon”, tha Zv.Ministri i Jashtëm i Iranit, Affairs Kazem Gharibabadi.
Reagimi vjen pasi Reuters raportoi, se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve iraniane për të mbështetur rindërtimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara në vendet aleate të Gjirit.
Sipas të njëjtit burim, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka urdhëruar një vlerësim të kostove të dëmeve që Irani dyshohet se u ka shkaktuar vendeve të rajonit ndër vite.
Ndërkohë, Teherani vazhdon të kërkojë lirimin e miliarda dollarëve të fondeve të ngrira, si pjesë e negociatave për përfundimin e konfliktit.