Irani ka mohuar se ka lëshuar një raketë drejt territorit të Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.
Ky incident ka ngritur shqetësime të reja se konflikti në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet gjithnjë e më shumë drejt Evropës, raporton NBC News, përcjell Reporteri.net.
“Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqinë, dhe mohojnë çdo lëshim rakete drejt territorit të saj,” tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, sipas deklaratave të transmetuara nga kanali shtetëror iranian IRIB.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha dje se një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u shkatërrua nga sistemet ajrore dhe të mbrojtjes nga raketat të NATO-s mbi Mesdheun lindor.
Ministria tha se nuk pati viktima apo të lënduar dhe shtoi se Turqia rezervon të drejtën të përgjigjet ndaj “çdo qëndrimi armiqësor ndaj vendit tonë.”/Reporteri.net