×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Irani po merr masa për të parandaluar protestat kundër regjimit

    Reporteri
    16 Mars 2026 | 11:16

    Irani po ndërmerr hapa të reja për të parandaluar protestat kundër regjimit, me postblloqe të vendosura në rrugët e kryeqytetit, kufizim të aksesit në internet dhe dërgim masiv të mesazheve paralajmëruese për banorët.

    Në Teheran, banorët i kanë treguar BBC-së për postblloqe të reja sigurie rreth qytetit, ku banorët ndalohen dhe kontrollohen. Ata kanë thënë se disa postblloqe janë vendosur nën ura këmbësorësh dhe brenda tuneleve rrugore, pas raportimeve se disa postblloqe në mes të rrugëve ishin goditur nga sulme me dronë.

    Agjencia e lajmeve Fars raportoi më 11 mars se disa pjesëtarë të forcave të sigurisë iraniane u vranë nga sulme izraelite në katër postblloqe në Teheran. Sipas saj, rreth 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë humbën jetën në këto sulme.

    Një i ri në të njëzetat i tha BBC-së se strategjia e tij për të kaluar një postbllok ishte të fliste me mirënjohje ndaj rojeve, duke thënë gjëra si: “Faleminderit për punën tuaj të vështirë,” që ata ta linin të lirë pas kontrollit.

    Ndërsa një vajzë në të njëzetat tha: “Unë gjithmonë vishja rroba me ngjyra, por tani jo. Kam frikë nga patrullat e tyre, më shqetëson se mos diçka e ndritshme i nervozon.”

    Kufizimi i internetit pengon koordinimin

    Një tjetër i ri shet lidhje të sigurta interneti për të anashkaluar ndërprerjen kombëtare të vendosur nga qeveria. Disa banorë përdorin pajisjet Starlink të SpaceX për të ndarë lidhjen me të tjerët. Kufizimi i internetit jo vetëm që pengon komunikimin me botën, por edhe aftësinë e protestuesve për t’u organizuar.

    Ky i ri tregoi se kishte frikë kur taksia ku udhëtonte kaloi një postbllok, pasi mbante laptopin dhe telefonin me vete. Autoritetet iraniane kanë arrestuar një person në provincën Fars për ngritjen e një rrjeti që shiste internet “të pa-filtruar” përmes Starlink. Përdorimi i Starlink në Iran mund të dënohet deri me dy vite burg.

    Ndërkohë, qeveria ka thënë se po punon për të rikthyer aksesin në internet “për ata që mund të transmetojnë zërin e vendit në botë”. Çmimet e internetit të shitur në Telegram janë rreth 6 dollarë për 1 GB, një kosto e lartë për një vend ku paga mesatare mujore është 200–300 dollarë.

    Mesazhe paralajmëruese kundër protestave

    Deri tani nuk ka pasur shenja të protestave masive si ato të janarit, kur sipas Hrana u vranë mbi 7 mijë civilë. Që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, autoritetet kanë organizuar tubime pro-regjimit dhe kanë nxitur mbështetësit të dalin në rrugë.

    Media ka parë një mesazh të dërguar më 13 mars nga Garda Revolucionare që paralajmëron kundër protestave: “Armiku i lig… po përpiqet sërish të krijojë frikë dhe kaos në rrugë. Një goditje më e fortë se ajo e 8 janarit po e pret neo-ISIS-in.”

    Shefi i policisë Ahmad Reza Radan tha më 10 mars se kushdo që “vepron në qytete sipas urdhrit të armikut” nuk do të trajtohet më si protestues, por si “armik”.

    Më 8 mars, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje drejtpërdrejt iranianëve të ngrihen kundër regjimit, por më 12 mars tha se nuk mund të thoshte me siguri se populli iranian do ta rrëzonte regjimin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!