Irani ka refuzuar planin 15-pikësh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që iu dorëzua përmes Pakistanit, për t’i dhënë fund luftës, raporton NBC News, përcjell Reporteri.net.
Televizioni shtetëror i Iranit ka cituar një zyrtar të lartë politik dhe të sigurisë, emri i të cilit nuk u bë i ditur, por që ka njohuri mbi detajet e propozimit.
Sipas raportimit, Teherani nuk do të lejojë që Trump të diktojë kushtet apo afatin kohor për zgjidhjen e konfliktit.
Zyrtari ka përmendur pesë kushte që duhet të plotësohen përpara se Irani të pranojë t’i japë fund luftës, përfshirë ndalimin e plotë të “agresionit dhe vrasjeve të synuara” nga SHBA dhe Izraeli, si dhe njohjen e sovranitetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kalimi kyçe për naftën globale.
New York Times raportoi mbrëmë se plani në fjalë rajton programet balistike dhe bërthamore të Iranit.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar raketat balistike të Iranit, lëshuesit dhe objektet e prodhimit të tyre, si dhe programin e tij bërthamor në fushatën e bombardimeve që filloi më 28 shkurt.
Udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë janë zotuar se nuk do të lejojnë kurrë që Irani të zotërojë armë bërthamore.
Plani gjithashtu trajton rrugët detare. Që nga fillimi i luftës, Irani në mënyrë efektive ka bllokuar shumicën e anijeve perëndimore që të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për hyrje dhe dalje nga Gjiri Persik, duke ndërprerë furnizimin global me naftë dhe gaz natyror dhe duke çuar në rritje të menjëhershme të çmimeve./Reporteri.net
New York Times: ShBA i ka paraqitur Iranit një propozim 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës