×
  • Lajme
  • Botë

    Ish-ministrja daneze dënohet me burgim për ndarjen e çifteve refugjate

    Reporteri
    13 Dhjetor 2021 | 14:49

    Ish-ministrja e imigracionit në Danimarkë është shpallur fajtore se ka ndarë në mënyrë të paligjshme çiftet e reja azilkërkuese, në një vendim historik.

    Gjykatësit vendosën se vendimi i Inger Stoejbergut i vitit 2016, për të ndarë çiftet ishte i paligjshëm dhe vendosën ta dënojnë me 60 ditë burgim.

    Stoejberg ka thënë se është befasuar nga vendimi dhe tha se politika ishte krijuar për të luftuar martesat e fëmijëve, raporton BBC.

    “Nuk është vetëm unë që kam humbur, por edhe vlerat daneze”, tha ajo, duke shtuar se do ta pranojë vendimin.

    Nga viti 2015 deri më 2019, Inger Stoejberg shërbeu si ministre e Imigracionit në një qeveri të qendrës së djathtë të mbështetur edhe nga Partia Populiste Daneze e krahut të djathtë.

    Gjatë mandatit të saj ajo mbajti një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit dhe futi dhjetëra kufizime. Mes tyre ishte edhe një urdhër në shkurt të vitit 2016 që refugjatet e martuara nën moshën 18-vjeçare nuk duhet strehuar me bashkëshortët e tyre.

    Stoejberg urdhëroi ndarjen e 23 çifteve të martuara, para se ajo politikë të hiqej disa muaj më vonë.

    Mes tyre ishin edhe një çift sirian, Rimaz Alkayal atëbotë 17-vjeçare dhe bashkëshorti i saj Alnour Alwan 26-vjeçar, të cilët u ribashkuan pas një ankesa. Ata ishin detyruar të jetonin të ndarë për katër muaj, edhe pse ajo ishte shtatzënë.

    Vendimi i Gjykatës Supreme në Danimarkë të hënën e lë karrierën politike të Stoejbergut në pikëpyetje.

    Vendimi nuk mund të apelohet dhe dënimi me burg duhet vuajtur.

    Stoejberg aktualisht është një deputete e pavarur, por mund ta humbasë ulësen e saj në një votim që do të bëhet për heqjen e saj nga parlamenti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!