Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme të reja në disa qytete të Iranit – përfshirë kryeqytetin Teheran – në ditën e katërt të Operacionit “Tërbimi Epik”.

Irani u kundërpërgjigj me disa sulme kundër caqeve amerikane në rajon. Ambasada e SHBA-së në Riad konfirmoi se ishte cak i një sulmi me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht, për shkaqe sigurie.

Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.

Reklamë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi lëshoi një njoftim për qytetarët e Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.

Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.

Ai thekson se Irani tani nuk ka më marinë, as forcë ajrore apo kapacitete për të zbuluar sulmet ajrore.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare.

Reklamë