Kryebashkiaku i Izmirit, Cemil Tugay, është larguar nga kampi opozitar dhe i është bashkuar të mërkurën Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në një lëvizje që ka shkaktuar reagime të forta në opozitën turke.
Tugay, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2024 fitoi Izmirin si kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) me një diferencë prej rreth 314 mijë votash, mori simbolin e AK Partisë nga presidenti Erdoğan gjatë një ceremonie në selinë e partisë në Ankara.
Me këtë lëvizje, partia në pushtet siguroi kryetarin e bashkisë së një qyteti që nuk ka arritur ta fitojë në zgjedhje në tre raste radhazi. Izmiri, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, është qeverisur nga kryebashkiakë të qendrës së majtë ose të majtë që nga viti 1999.
Në zgjedhjet lokale të marsit 2024, Tugay fitoi 48.97 për qind të votave, ndërsa kandidati i AK Partisë, Hamza Dağ, mori 37.06 për qind. Diferenca mes tyre ishte rreth 314 mijë vota.
Erdoğan e mirëpriti Tugayn edhe gjatë fjalimit të tij para deputetëve, në hapjen e vitit të ri parlamentar.
“Izmiri është ndryshe sot. Shumë entuziast”, tha Erdoğan, transmeton Telegrafi.
Ndërsa Tugay u tha gazetarëve: “Gjërat e mira e presin Izmirin”.
Kalimi i Tugayt në AK Parti është veçanërisht i bujshëm për shkak të deklaratave të tij të mëparshme. Në gusht të vitit 2025, ai kishte thënë se nuk kishte “as edhe një mundësi në një milion” që t’i bashkohej partisë së Erdoganit, duke shtuar se një kryebashkiak i zgjedhur nga CHP nuk kishte të drejtë të ndryshonte parti.
“E gjej këtë shumë të turpshme. Unë nuk jam ai lloj personi”, kishte deklaruar ai.
Në janar, Tugay i kishte thënë medias T24 se nëna e tij i kishte thënë se do ta hiqte nga trashëgimia familjare, ndërsa bashkëshortja do të divorcohej prej tij nëse ai do t’i bashkohej AK Partisë.
Tugay u largua nga CHP-ja në qershor, pas një vendimi gjyqësor që riktheu Kemal Kılıçdaroğlun në krye të partisë, dhe për rreth tre muaj vazhdoi të shërbente si kryebashkiak i pavarur.
Në atë periudhë, shumë vëzhgues prisnin që ai t’i bashkohej Partisë së Re (YENİ), të themeluar nga ish-kreu i CHP-së, Özgür Özel. Por kjo nuk ndodhi.
Në gusht, Tugay deklaroi se bashkimi me cilëndo parti ishte “jashtë diskutimit”.
“Do të mbetem i pavarur. E kam thënë shumë herë se do të qëndroj i pavarur, por në të vërtetë jam i shqetësuar që kjo vazhdon të diskutohet çdo ditë”, kishte thënë ai.
Megjithatë, më 30 shtator, Tugay u takua me presidentin Erdoğan në kompleksin presidencial në Ankara. Dy ditë më vonë, ai dha dorëheqjen nga Shoqata e Mendimit Ataturkist dhe Shoqata e Demokracisë Sociale.
Një ditë para njoftimit zyrtar, AK Parti publikoi një video ku një rrugë e mbushur me mbeturina shfaqej duke u pastruar dhe më pas mbuluar me lule. Në sfond dëgjohej një këngë patriotike turke për Izmirin, ndërsa në fund të videos shfaqej data 7 tetor 2026, pa u përmendur drejtpërdrejt emri i Tugayt.
Kalimi i tij ka shkaktuar reagime të ashpra në opozitë. Kreu i Partisë së Re, Özgür Özel, tha se Tugay ishte përballur me “kërcënime, shantazh dhe presion”, ndërsa deklaroi se AK Parti “nuk e ka fituar kurrë Izmirin në zgjedhje dhe nuk do ta fitojë”.
“Kjo nuk është diçka që mund ta arrini me taktika të marrjes dhe ikjes”, i tha Özel presidentit Erdoğan.
Zëdhënësi i Partisë së Re, Zeynel Emre, tha se kalimet e politikanëve nga një parti në tjetrën nuk mund të shqyrtohen të shkëputura nga procedurat gjyqësore ndaj kryebashkiakëve të opozitës.
Megjithatë, kalimi i Tugayt në AK Parti nuk i jep kësaj partie kontrollin mbi këshillin bashkiak të Izmirit. Partia e Re mbetet grupi më i madh me 91 anëtarë, ndërsa AK Parti ka 39 vende dhe të pavarurit 11.
Tugay iu bashkua CHP-së në vitin 2010, ndërsa në vitin 2019 u zgjodh kryebashkiak i distriktit Karşıyaka. Në vitin 2024, ai u zgjodh kryebashkiak i Bashkisë Metropolitane të Izmirit.
Me kalimin në AK Parti, Tugay bëhet kryebashkiaku i parë i krahut të djathtë në Izmir pas 27 vitesh, duke i dhënë partisë së Erdoganit një fitore politike përmes një kalimi partiak, në një qytet ku nuk ka arritur ta marrë pushtetin përmes zgjedhjeve.