Mbi 133 milionë emra janë hequr nga listat e përkohshme zgjedhore në Indi, nga rreth 970 milionë votues.
Shifra është e jashtëzakonshme dhe ka ndezur një debat të madh për të drejtën e votës në vendin me një nga sistemet më të mëdha zgjedhore në botë. Rishikimi i listave po kryhet nga Komisioni Zgjedhor i Indisë përmes një procesi të quajtur “Special Intensive Revision”, ose SIR.
Sipas autoriteteve, synimi është pastrimi i listave nga emrat e personave të vdekur, të zhvendosur, të regjistruar më shumë se një herë apo që nuk plotësojnë kushtet për të votuar.
Por opozita dhe grupet kritike ndaj qeverisë pretendojnë se procesi po prek edhe qytetarë që kanë të drejtë vote. Ata dyshojnë se heqjet mund të kenë pasoja politike dhe se disa komunitete janë prekur në mënyrë disproporcionale. Këto janë akuza që qeveria dhe Komisioni Zgjedhor i kundërshtojnë.
Në qendër të debatit është kreu i Komisionit Zgjedhor, Gyanesh Kumar, i cili u emërua në vitin 2025.
Opozita ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe e ka akuzuar Komisionin për mungesë transparence gjatë procesit të rishikimit.
Debati u përshkallëzua pasi gazeta “Indian Express” publikoi dokumente të brendshme nga dy komisionerë të zgjedhjeve, Sukhbir Singh Sandhu dhe Vivek Joshi. Sipas këtyre dokumenteve, ata kishin ngritur disa kundërshtime ndaj mënyrës se si po zhvillohej procesi, por kundërshtimet e tyre nuk ishin marrë parasysh.
Opozita e ka quajtur procesin “vjedhje të votave”. Lideri i saj, Rahul Gandhi, ka përdorur prej muajsh sloganin “Vote Chori”, duke akuzuar autoritetet për heqje të padrejtë të emrave nga listat.
Një nga rastet më të diskutueshme është Delhi. Në listën e re zgjedhore janë hequr rreth 4.77 milionë emra nga 14.5 milionë votues, pra rreth një e treta e elektoratit. Qytetarët që janë prekur mund të kërkojnë rikthimin e emrit, por duhet të paraqesin dokumente dhe të kalojnë një proces verifikimi.
Në disa raste, qytetarët kanë pretenduar se janë cilësuar gabimisht si të vdekur ose si persona që nuk jetojnë më në adresat e regjistruara. Për të rikthyer emrin në listë, procesi mund të kërkojë edhe dokumente që dëshmojnë lidhjen e tyre ose të familjarëve me listat e vjetra.
Protestat kundër procesit janë përhapur në disa qytete. Në Delhi, Rahul Gandhi dhe deputetë të tjerë të opozitës janë ndaluar disa herë gjatë demonstratave.
Në protesta janë bashkuar edhe grupe të rinjsh, përfshirë lëvizjen “Cockroach”, e cila është bërë aktive në muajt e fundit.
Komisioni Zgjedhor, nga ana tjetër, thotë se qëllimi i SIR është të sigurojë lista të sakta dhe të shmangë përfshirjen e personave që nuk kanë të drejtë vote. Autoritetet theksojnë gjithashtu se qytetarët e prekur kanë mundësi të kërkojnë rishikimin e vendimit.
Përplasja ka hapur një debat më të gjerë në Indi: nëse procesi i pastrimit të listave po garanton integritetin e zgjedhjeve apo po krijon rrezikun që qytetarë të ligjshëm të mbeten jashtë procesit zgjedhor.
Ndërsa kërkesat për rishikimin e emrave vazhdojnë, protestat po marrin përmasa më të mëdha. Opozita kërkon transparencë dhe ndryshime në drejtimin e Komisionit Zgjedhor, ndërsa autoritetet mbrojnë procesin si një përpjekje për të krijuar lista më të sakta dhe më të besueshme.

