×
  • Lajme
  • Extra
  • Botë

    Largime masive nga Twitter, pas ultimatumit të pronarit Elon Musk

    Reporteri
    18 Nëntor 2022 | 20:16

    Kompania Twitter vijoi të krijojë më shumë tension tek inxhinierët dhe punonjësit, pasi pronari i ri, Elon Musk u ka kërkuar të nënshkruajnë se janë të gatshëm të punojnë “me orar të gjatë dhe intensitet të lartë”, ose të largohen nga kompania, duke marrë pagën e largimit.

    Qindra punonjës sinjalizuan se po largoheshin përpara afatit të së enjtes të vendosur nga zoti Musk, duke postuar një “emoji” përshëndetjeje ose simbole të tjera të njohura për punonjësit e Twitter në mesazhet për pjesëtarët e brendshëm të kompanisë.

    Megjithatë, sipas një punonjësi aktual që foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes dhe gjithashtu një ish-punonjës që foli në kushte anonimiteti për shkak të konfidencialitetit të kërkuar për të marrë pagesën e largimit, nuk është e mundur të thuhet për çdo rast se përmes këtyre postimeve punonjësit po largoheshin apo po solidarizoheshin me kolegët që po iknin nga kompania.

    Disa shkruan në Twitter për të njoftuar se do të jepnin dorëheqjen nga puna pas afatit të vendosur nga zoti Musk.

    Sipas një punonjësi të shkarkuar në fillim të kësaj jave, një numër punonjësish dolën në një forum privat, jashtë sistemit të mesazheve të kompanisë për të diskutuar planet e tyre për t’u larguar, duke bërë pyetje se si ky vendim mund të rrezikonte vizat e tyre në SHBA ose nëse do të merrnin pagesën e premtuar të largimit.

    Bordi drejtues i Twitter dërgoi një email të panënshkruar duke njoftuar se zyrat do të mbylleshin dhe qasja e kartave elektronike të punonjësve do të çaktivizohej deri të hënën. Asnjë arsye nuk u dha për këtë vendim, sipas një punonjësi që u dorëhoq nga puna të enjten dhe foli në kushte anonimiteti për shkak të konfidencialitetit të kërkuar për të marrë pagesën e largimit.

    Mbetet e paqartë se sa punonjës të personelit të tij që edhe para largimeve ishte reduktuar në mënyrë të konsiderueshme, pranuan ofertën e zotit Musk.

    Raundi më i ri i largimeve do të thotë se platforma po vazhdon të humbasë punëtorë pikërisht kur po përgatitet për Kupën e Botës FIFA 2022, një nga ngjarjet më të ngarkuara në Twitter që mund të trondisë sistemet e platformës, nëse gjërat shkojnë keq.

    “Të gjithë punonjësve të Twitter, që vendosën që e sotmja të ishte dita e tyre e fundit: faleminderit që keni qenë kolegë të jashtëzakonshëm, gjatë uljeve dhe uljeve. Mezi pres të shoh se çfarë do të bëni më pas”, shkroi në Twitter punonjësja, Esther Crawford, e cila ka qëndruar në kompani dhe po punon në rregullimin e sistemit të verifikimit të platformës.

    Që nga marrja në dorë e Twitter-it më pak se tre javë më parë, Musk ka larguar gjysmën e punonjësve me kohë të plotë të kompanisë prej 7,500 punonjësish dhe një numër të pallogaritshëm kontraktuesish. Ai shkarkoi drejtuesit kryesorë në ditën e tij të parë si pronar i Twitter-it, ndërsa të tjerët u larguan vullnetarisht në ditët në vijim. Në fillim të kësaj jave, ai filloi të pushonte nga puna një grup të vogël inxhinierësh, të cilët e kundërshtuan publikisht ose në sistemin e brendshëm të mesazheve të kompanisë.

    Më pas, natën e së mërkurës, zoti Musk i dërgoi një email stafit të mbetur në Twitter, duke u kërkuar punonjësve të vendosin deri të enjten në mbrëmje nëse duan të mbeten pjesë e kompanisë.

    Zoti Musk shkroi se punonjësit “do të duhet të jenë jashtëzakonisht të fortë” për të ndërtuar “një Twitter 2.0” që për ta bërë të suksesshëm nevojiten orë të gjata pune me intensitet të lartë.

    Por në një email të së enjtes, zoti Musk ndryshoi mendje për qëndrimin e tij këmbëngulës se të gjithë duhet të punonin në zyrë.

    Ai e zbuti tonin e tij të mëparshëm në një email drejtuar punonjësve, duke shkruar se “gjithçka që kërkohet është të merrni miratimin nga menaxheri juaj se ai merr përgjegjësinë për t’u siguruar që po jepni një kontribut të shkëlqyer. Punonjësit duhet të takohen fizikisht me kolegët, idealisht çdo javë, por jo më pak se një herë në muaj”.

    Mëngjesin e sotëm, trendi në rrjetet sociale në SHBA ishte “u prehsh në paqe Twitter”, ndjekur nga emrat e platormave të tjera sociale si “Tumblr,” “Mastodon” and “MySpace.”

    Twitter nuk iu përgjigj kërkesës për koment./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!