Sulmi ukrainas ndaj dy anijeve ruse në Libi, njëra prej të cilave ishte e ankoruar në portin e Bengazit, shënon një fazë të re në konfliktin mes Moskës dhe Kievit.

Lufta mes dy vendeve po shtrihet gjithnjë e më shumë përtej frontit tradicional, duke prekur edhe zona të largëta nga territori ku zhvillohen drejtpërdrejt luftimet.

Operacioni ukrainas u krye vetëm dy ditë pas sulmit ndaj një tjetër anijeje ruse në ujërat ndërkombëtare, në brigjet e Finlandës. Ndërkohë, rreth një muaj më parë, një seri incidentesh në Detin e Zi, në ujërat territoriale dhe zonat ekskluzive ekonomike të Bullgarisë dhe Rumanisë, çoi në goditjen e disa anijeve tregtare, me pasojë viktima dhe persona të zhdukur.

Reklamë

Përshkallëzimi i tensioneve vjen në një kohë kur Polonia ka kërkuar që çështja e raketave ruse të rëna në territorin e saj të diskutohet në tryezën e NATO-s. Nga ana tjetër, Danimarka bëri të ditur se kishte parandaluar një atentat ndaj një reperi me shtetësi ukrainase dhe amerikane në territorin e saj.

Megjithatë, ndryshe nga incidentet e mëparshme, të cilat kryesisht janë regjistruar në zona gjeografikisht pranë frontit të luftës, sulmi i dyfishtë në Libi përbën një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit. Ngjarja ka ngritur shqetësim edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Misioni i Mbështetjes i OKB-së në Libi (UNSMIL) shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e situatës, duke kërkuar respektimin e plotë të sovranitetit territorial të vendit. Gjithashtu, misioni bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent për të zbardhur rrethanat e sulmit.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mori përsipër publikisht përgjegjësinë për sulmin në portin e Bengazit, duke e cilësuar atë si një “operacion shembullor”.

Sipas deklaratës së tij, shtatë dronë detarë të prodhimit ukrainas goditën dhe fundosën korvetën ruse Merkury, si dhe një helikopter luftarak që ndodhej në bord. Përveç kësaj, forcat ukrainase goditën edhe një tjetër objektiv: anijen mallrash ruse MV Angara, të cilën, sipas Kievit, Moska e përdorte për transportin e armëve. Kjo anije ndodhej në brigjet e Libisë.

Reklamë

Sipas mediave ukrainase, dronët që u përdorën në operacion dyshohet se u lëshuan nga pjesa perëndimore e Libisë.

E pyetur për ngjarjen, Komisioni Evropian u tregua i rezervuar në qëndrimin e tij, por deklarata e një zëdhënësi duket se e vendos operacionin ukrainas në kontekstin e agresionit rus.

“Lufta e agresionit të Rusisë po sjell pasoja gjithnjë e më të gjera, shumë përtej kufijve të Ukrainës. Asgjë nga këto nuk do të ndodhte nëse Rusia nuk do ta kishte nisur luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Komisionit Europian.

Reagimi i autoriteteve libiane ishte krejtësisht i ndryshëm. Qeveria me bazë në lindje të vendit, e cila kontrollohet nga forcat e gjeneralit Khalifa Haftar dhe mban marrëdhënie të afërta me Moskën, e cilësoi ngjarjen si “pranim të drejtpërdrejtë të agresionit”. Për këtë arsye, ajo paraqiti një ankesë zyrtare pranë Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Reklamë

Sipas televizionit Al Jazeera, nga sulmi raportohet se kanë humbur jetën disa shtetas rusë dhe libianë, megjithëse burime të tjera bëjnë fjalë vetëm për persona të plagosur.

Ndërkohë, Kremlini u mjaftua të deklaronte se kishte marrë dijeni për pretendimin e Zelensky-t lidhur me sulmin në Libi. Megjithatë, Moska reagoi ashpër ndaj një tjetër incidenti të ndodhur të shtunën në ujërat ndërkombëtare, pranë brigjeve të Finlandës.

Bëhet fjalë për anijen ruse të mallrave Sparta II, e administruar nga një kompani e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Anija u godit nga dy dronë dhe më pas përfshiu flakët, duke përfunduar në ujërat finlandeze në gjendje të pakontrolluar. Sipas autoriteteve të Helsinkit, sulmi dyshohet se u krye nga Ukraina.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e cilësoi këtë zhvillim si një “prirje shumë të rrezikshme drejt zgjerimit të aktivitetit terrorist në rajonin e Baltikut”, duke paralajmëruar se incidente të tilla po shtojnë tensionet në gjithë rajonin.

Reklamë