×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Lufta në Lindjen e Mesme shkakton luhatje në tregjet globale

    Reporteri
    02 Mars 2026 | 20:32

    Çmimi i naftës bruto rritet me mbi 10 për qind.

    Konflikti i hapur në Lindjen e Mesme ka sjellë pasoja të menjëhershme jo vetëm politike, por edhe ekonomike në mbarë botën. Zhvillimet e ditëve të fundit kanë shkaktuar luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në sektorin e energjisë.

    Si rezultat i ndërprerjes së dërgesave nga Lindja e Mesme për shkak të mbylljes de facto të Ngushticës së Hormuzit, çmimet globale të naftës u rritën ndjeshëm. Nafta e papërpunuar Brent, e cila shërben si pikë referimi globale, u rrit me rreth 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi. Po ashtu, nafta bruto amerikane u rrit me 8.2%, duke arritur në 72.64 dollarë për fuçi.

    Ndërkohë, çmimi i arit, i konsideruar si “strehë e sigurt” në kohë krizash, u rrit me 2.6%.

    Tregjet e aksioneve në mbarë botën pësuan rënie. Indeksi evropian STOXX Europe 600 ra me 1.7%, ndërsa në Londër indeksi FTSE 100 u hap me rënie prej rreth 1%. Rënie u shënuan edhe në tregjet e Azi-Paqësorit.

    Në tregjet valutore, dollari amerikan u forcua, pasi konsiderohet një valutë e sigurt në kohë krizash, ndërsa euro dhe paundi pësuan rënie.

    Transporti ndërkombëtar detar pothuajse ka ngecur në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, me analistët që paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur mund t’i rrisë çmimet e energjisë edhe më shumë./Tv Klan

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!