Presidenti i Ukrainës,Volodymyr Zelensky, e kritkoi një marrëveshje të premten mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë që i lejon Moskës t’i ofrojë ShBA-së naftë, duke e quajtur “investim në një luftë që duhet të marrë fund”.

Marrëveshja mes Uashingtonit e Moskës u njoftua gjatë kohës kur një delegacion ukrainas ndodhej në ShBA për të diskutuar se si të gjendet një zgjidhje për luftën me Rusinë. Zelensky e cilësoi paktin si “vendim të dobët nga ana e partnerëve të fortë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe ose ndonjë përfitim për botën e civilizuar” – shkroi Zelensky në rrjetin X.

Reklamë

“Rusia do ta “ripaguajë” naftën me terror e pabesi të mëtejme. Ta lejosh Rusinë që të shesë produkte të naftës është investim në një luftë që duhet të marrë fund, jo të zgjatet. Ajo që nevojitet është depërshkallëzimi i vërtetë me Rusinë mbi një bazë reciproke” – tha më tej presidenti ukrainas.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë që e cilësoi si shumë të suksesshme me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë së cilës, sipas tij, është arritur marrëveshje për dërgimin e sasive të mëdha të naftës ruse dizel në tregjet amerikane dhe ato botërore.

Në një postim të premten në rrjetin e tij social, Truth Social, Trumpi ka thënë se Rusia do të dërgojë menjëherë më shumë se 300 mijë tonë naftë dizel. Sipas tij, 500 mijë tonë të tjera do të dërgohen gjatë nëntorit, pasuar nga një milion tonë të tjerë. Ai shtoi se, varësisht nga gjendja e rafinerive ruse, në një periudhë të shkurtër mund të dërgohen edhe tre milionë tonë.

Trump pretendoi se kontrolli i plotë amerikan mbi Ngushticën e Hormuzit, së bashku me njoftimin për furnizimet ruse me energji, do të bëjë që çmimi i dizelit të bjerë shpejt në SHBA dhe në tregjet ndërkombëtare.