Uragani Simon goditi bregdetin e Paqësorit të Meksikës si një uragan i Kategorisë 3, duke sjellë erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu. Edhe pse qendra e tij qëndroi mbi oqean, goditjet më të forta të erës dhe reshjet prekën zonat e banuara midis vargmalit Sierra Madre dhe Oqeanit Paqësor, raporton AP.

Uragani po lëvizte paralelisht me bregdetin, duke iu afruar qytetit të njohur turistik të Puerto Vallarta-s. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së (NHC), shpejtësia e erës kishte rënë në 185 kilometra në orë deri mbrëmë, por stuhia ende përbënte një kërcënim të konsiderueshëm.

Zona përreth Puerto Vallarta-s, në shtetin e Jalisco-s, është veçanërisht e rrezikuar, pasi shumë banorë jetojnë në kodrat mbi vendpushimet turistike. Ekzistojnë shqetësime se shtëpitë e tyre nuk do t’u rezistojnë goditjeve të fuqishme të erës.

Reklamë

Qendra e uraganit ndodhej rreth 75 kilometra në jug të Cabo Corrientes, jo larg Puerto Vallarta-s. Uragani po lëvizte në drejtim veriperëndimor me një shpejtësi prej rreth shtatë kilometrash në orë.

Philippe Papin nga NHC paralajmëroi se zona e Cabo Corrientes mund të goditej drejtpërdrejt.

“Presim pasoja katastrofike nga erërat e forta dhe nga rritja e rrezikshme e nivelit të detit (storm surge) përgjatë pjesëve perëndimore dhe qendrore të bregdetit meksikan, ku aktualisht është në fuqi një paralajmërim për uragan,” tha Papin.

Ai gjithashtu paralajmëroi për reshje të dendura shiu që mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të rrezikshme dheu, veçanërisht në zonat malore bregdetare, si dhe për dallgë të larta. Meteorologët parashikojnë se mund të bien edhe pesë deri në dhjetë centimetra shi në shtetet Colima, Jalisco, Nayarit dhe Sinaloa deri të enjten, e në zona të caktuara deri në 20 centimetra. Në disa pjesë të Michoacán-it, Colima-s dhe Jalisco-s, sasia totale e reshjeve mund të arrijë deri në 76 centimetra, gjë që rrit rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Reklamë

Ndërsa uragani i afrohej Puerto Vallarta-s, automjetet e Gardës Kombëtare patrullonin rrugët dhe oficerët e policisë përdornin megafonë për t’u bërë thirrje qytetarëve që të strehoheshin. Autoritetet e shtetit federal të Jalisco-s anuluan mësimin për të premten dhe të hënën në 22 bashki bregdetare dhe filluan evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u bëri thirrje banorëve të shteteve federale Jalisco, Colima, Nayarit dhe Michoacán që të qëndrojnë të sigurt derisa autoritetet të deklarojnë përfundimin e kërcënimit. Ajo gjithashtu u kërkoi atyre të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të mbrojtjes civile dhe të shmangin udhëtimet.

“Po kryhen evakuime parandaluese drejt zonave të sigurta. Siguria jonë është prioritet,” shkroi dje Sheinbaum në rrjetin social X.