Të paktën 104 palestinezë u vranë në një valë sulmesh izraelite në Gaza të martën në mbrëmje, thotë ministria e shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha se goditi “dhjetëra objektiva terroristësh dhe terroristë” në përgjigje të shkeljeve nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, raporton BBC.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit akuzoi Hamasin për një sulm në Gaza që vrau një ushtar izraelit dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura. Hamasi tha se nuk kishte “asnjë lidhje” me sulmin dhe ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes.
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti qëndrimin se “asgjë” nuk do të rrezikonte armëpushimin, por shtoi se Izraeli duhet të “kundërsulmojë” kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.
Sulmet izraelite goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në Qytetin e Gazës dhe Beit Lahia në veri të Gazës, Bureij dhe Nuseirat në qendër, dhe Khan Younis në jug.
Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se gjithsej 104 persona u vranë, përfshirë 46 fëmijë dhe 20 gra, dhe se më shumë se 250 të tjerë u plagosën./Reporteri.net/