Autoritetet e New Mexico kanë nisur një kontroll në një ranch që më parë i përkiste Jeffrey Epstein, njoftuan zyrtarët shtetërorë të hënën.
Ranchi i ashtuquajtur Zorro Ranch, i financierit dhe të dënuarit për krime seksuale tashmë të ndjerë, ishte vendi ku dyshohet se kanë ndodhur shumë abuzime, sipas procedurave civile dhe penale. Megjithatë, kjo pronë nuk ishte hetuar me të njëjtin intensitet si pronat e tjera të Epstein-it dhe një hetim i The Guardian në shkurt zbuloi se autoritetet federale duket se nuk e kishin kontrolluar kurrë ranchin në New Mexico.
Departamenti i Drejtësisë i New Mexico tha të hënën se kishte “nisur një kontroll” në Zorro Ranch, me ndihmën e policisë shtetërore dhe zyrës së sherifit të qarkut Sandoval. Kontrolli u krye me urdhër të prokurorit të përgjithshëm të shtetit, Raúl Torrez.
Ka pasur vëmendje të re ndaj ranchit që nga publikimi i fundit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë i rreth 3 milionë dokumenteve hetimore që lidhen me Epstei-in. Kontrolli vjen disa javë pasi Torrez njoftoi se shteti do të rihapte hetimin e vitit 2019 për pretendimet për aktivitete të paligjshme në ranchin e Epsteinit. Shteti kishte thënë se e kishte pezulluar çështjen me kërkesë të prokurorëve federalë në New York City, të cilët po kryenin hetimin e dytë për rrjetin e trafikimit seksual të Epsteiit që çoi në arrestimin e tij.
Ligjvënësit e shtetit të New Mexico kanë krijuar gjithashtu një “komision të së vërtetës” për të shqyrtuar aktivitetet në ranch.
Ranchi i madh prej rreth 10,000 akrash (4,000 hektarë) ndodhet pranë Santa Fe, në New Mexico. Sipas dëshmive të disa grave, Epstein dyshohet se për vite me radhë abuzoi me vajza adoleshente dhe gra të reja aty pa u ndëshkuar. Të mbijetuarat kanë përshkruar një sërë ngjarjesh të rënda që, sipas tyre, ndodhën në këtë pronë të izoluar, sipas dokumenteve gjyqësore.
Sipas pretendimeve, aty vizitonin edhe burra të fuqishëm, përfshirë një ish-guvernator të New Mexico. Po ashtu është përmendur si vendi ku Epstein kishte planifikuar të përhapte ADN-në e tij duke lënë shtatzënë sa më shumë gra.
Hetimi i pronës shtatë vjet pas arrestimit të Epsteinit paraqet sfida të mëdha. Avokati i mbrojtjes në New Mexico dhe ish-prokurori John Day tha se vonesa e gjatë ka të ngjarë të nënkuptojë se “vlera e çdo prove që mund të gjendet do të jetë minimale”.
Edhe gjetja e provave forenzike nuk pritet të jetë e lehtë, tha avokatja Kate Mangels. Megjithatë, hetimi i pronës mund të ndihmojë në forcimin e dëshmive të të mbijetuarve. Nëse struktura e shtëpisë nuk ka ndryshuar, detaje të përshkruara nga viktimat mund të verifikohen dhe të japin më shumë besueshmëri dëshmive të tyre.
Në njoftimin për kontrollin, departamenti i drejtësisë i New Mexico falënderoi pronarët aktualë të pronës për bashkëpunimin dhe i kërkoi publikut të qëndrojë larg zonës. Zyrtarët nuk dhanë detaje të tjera, duke thënë se do të vazhdojnë të informojnë publikun, të mbështesin të mbijetuarit dhe të ndjekin faktet kudo që të çojnë./Reporteri.net/