Nasa ka publikuar detaje për module robotike uljeje, dronë kërcyes dhe automjete që synon t’i dërgojë në Hënë si pjesë e planeve amerikane për të ndërtuar një bazë hënore.
Kompania hapësinore Blue Origin e themeluesit të Amazonit, Jeff Bezos, është një nga disa kompanitë e përzgjedhura për të ndërtuar këto pajisje.
SHBA-ja dëshiron të rikthejë amerikanët në Hënë para se presidenti Donald Trump të largohet nga detyra në vitin 2029.
Por Nasa po konkurron me Kinën për kthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore, çka do të thotë se agjencia hapësinore është nën presion për të treguar se po fiton garën e re hapësinore.
Kina po ecën përpara me planet e saj për të dërguar njerëz në Hënë deri në vitin 2030, raporton BBC.
Të hënën ajo lëshoi anijen kozmike Shenzhou-23, duke dërguar një ekuipazh astronautësh në stacionin hapësinor të vendit, Tiangong.
Në mars, Nasa njoftoi një program prej 20 miliardë dollarësh për ndërtimin e një baze të përhershme të furnizuar me energji bërthamore dhe diellore në polin jugor të Hënës deri në vitin 2032.
Administratori i Nasas, Jared Isaacman, tha të martën se këto njoftime nënkuptojnë se SHBA-ja “nuk do ta humbasë më kurrë Hënën”.
Një bazë do t’i lejonte SHBA-së të kryente eksperimente shkencore, potencialisht të nxirrte burime të vlefshme dhe të udhëtonte më lehtë drejt Marsit.
Por shumica e ekspertëve pajtohen se afati kohor i Nasas është jorealist.
Pavarësisht suksesit të SHBA-së në dërgimin e katër astronautëve rreth Hënës në misionin Artemis II në prill, disa shkencëtarë besojnë se Kina ka më shumë gjasa të jetë vendi i ardhshëm që do të dërgojë njerëz në sipërfaqen hënore.
“Nuk do të më habiste aspak nëse Kina arrin atje e para”, tha për BBC News Dr. Simeon Barber, shkencëtar hënor në Open University, duke përmendur pengesat e Nasas për sigurimin e një mjeti që mund të ulë njerëz në Hënë.
Programi Ignition Moon Base i Nasas ka tre faza.
Para se njerëzit të udhëtojnë atje, agjencia hapësinore dëshiron të dërgojë module robotike uljeje dhe dronë kërcyes për të eksploruar dhe hartëzuar terrenin sfidues të Hënës.
Do të dërgohen gjithashtu automjete transporti që mund të lëvizin astronautët në sipërfaqen hënore dhe të bartin pajisje komunikimi dhe instrumente shkencore.
Të martën, Nasa tha se kompanive si Blue Origin, Intuitive Machines dhe Astrobotic u janë dhënë kontratat për ndërtimin e këtyre pajisjeve.
Nasa ka publikuar vizatime artistike të një baze në Hënë me banesa, sisteme energjie dhe automjete për astronautët.
Nasa dëshiron që moduli hënor i Blue Origin, i quajtur Endurance, të jetë në gjendje të kryejë ulje precize, si dhe navigim dhe kontroll autonom.
Moduli Griffin-1 i Astrobotic pritet të ulet në Kraterin Nobile pranë Polit Jugor.
Pajisjet do të dërgojnë gjithashtu instrumente shkencore për Nasën, përfshirë kamera me rezolucion të lartë dhe mjete që përdorin dritën lazer të reflektuar për të ndihmuar mjetet të ulen.
Ky eksplorim robotik duhet të zgjasë deri në vitin 2029, me 25 lëshime dhe 4 tonë metrikë ngarkesë të ulur në Hënë, tha të martën Carlos García-Galán, drejtues ekzekutiv i programit Moon Base.
Më pas, Nasa dëshiron të ndërtojë objekte energjie bërthamore dhe diellore në Hënë, përfshirë reaktorë të ndarjes bërthamore.
Një vizatim i një droni në programin MoonFall të Nasas që do të vëzhgojë Polin Jugor.
Deri në vitin 2032, agjencia hapësinore dëshiron që njerëzit të jenë në gjendje të jetojnë në Hënë në banesa “gjysmë të përhershme”.