×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    NATO rrëzon një dron mbi Estoni, dyshohet se i përket Ukrainës

    Reporteri
    19 Maj 2026 | 14:33

    Avionët luftarakë të misionit të NATO-s për Patrullimin Ajror të Baltikut rrëzuan një dron që ishte shfaqur në hapësirën ajrore estoneze.

    Droni u rrëzua mbi Liqenin Vörtsjärv në jug të Estonisë.

    Ministri estonez i mbrojtjes, Hanno Pevkur, e konfirmoi lajmin për portalin estonez të lajmeve Delfi dhe transmetuesin publik ERR, raporton the Guardian.

    Ai tha se me shumë gjasa bëhej fjalë për një dron ukrainas të drejtuar ndaj objektivave në veriperëndim të Rusisë — ku këtë mëngjes u raportuan goditje por që i ishin bllokuar sistemet dhe kishte devijuar në drejtimin e gabuar.

    Nuk u raportuan viktima civile apo dëme.

    NATO ka konfirmuar gjithashtu incidentin në Estoni dhe tha se hetimi është ende në vazhdim.

    Aleanca shtoi se është “e gatshme dhe e aftë të reagojë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm ajror.”

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, fajësoi Rusinë për “përdorimin e luftës elektronike” për të bllokuar dhe devijuar dronët ukrainas drejt vendeve baltike.

    Tykhyi shtoi: “Ne i kërkojmë falje Estonisë dhe të gjithë miqve tanë baltikë për incidente të tilla të paqëllimshme. Kemi qenë dhe mbetemi në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve tona të specializuara për të shkuar në thelb të çështjes në çdo rast dhe për të gjetur mënyra për t’i parandaluar ato, përfshirë angazhimin e drejtpërdrejtë të grupeve tona të ekspertëve.”

    Duke iu përgjigjur pretendimeve ruse, ai shtoi se “as Estonia, as Letonia, Lituania apo Finlanda nuk kanë lejuar ndonjëherë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme kundër Rusisë,” dhe se “Ukraina nuk ka kërkuar kurrë një përdorim të tillë.”

    Disa shtete baltike dhe nordike anëtare të NATO-s kanë raportuar muajt e fundit hyrje aksidentale të dronëve në territorin e tyre, ndërsa lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon, me qeverinë letoneze që javën e kaluar u rrëzua për shkak të reagimit ndaj njërit prej këtyre incidenteve./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!