Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbështet një plan për t’i dhënë fund luftës, sipas të cilit Ukraina do t’i lëshonte një pjesë të territorit të saj Rusisë, duke përfshirë zonat që nuk janë nën pushtimin rus, raporton New York Times, duke cituar dy zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas NYT, pas takimit me Vladimir Putinin, Trump u tha udhëheqësve evropianë se besonte se paqja mund të arrihej shpejt “nëse Zelensky pranonte t’ia dorëzonte pjesën tjetër të Donbasit Rusisë, duke përfshirë ato zona që nuk janë të pushtuara nga forcat ruse”. Në këmbim, Putin, sipas NYT, do të binte dakord për një armëpushim përgjatë vijave aktuale të betejës dhe do të jepte një premtim me shkrim për të mos sulmuar Ukrainën ose vendet e tjera evropiane.
Donbasi përfshin dy rajone lindore të Ukrainës: Donetskun dhe Luhanskun. Që nga fillimi i luftës, rusët kanë pushtuar pothuajse të gjithë Luhanskun dhe rreth 70% të Donetskut, ndërsa 30% mbahet ende nga ukrainasit.
Trump do ta diskutojë planin me Volodymyr Zelenskyn të hënën në Shtëpinë e Bardhë, dhe në takim janë ftuar edhe udhëheqës evropianë.
Kjo përfaqëson një përmbysje nga kërkesat e mëparshme të Trump për një armëpushim të menjëhershëm. Financial Times raportoi më herët sot se në një bisedë në Alaska, Putin i kërkoi Trump t’ia dorëzonte rajonin e Donetskut Ukrainës si kusht për përfundimin e luftës, me një premtim për të ngrirë frontin në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.