Që nga 26 dhjetori, hyrja dhe dalja nga SHBA-të për të gjithë jo-amerikanët, turistët, ata me vizë apo banorët e përhershëm, shoqërohet me kontrolle biometrike të detyrueshme.

Përveç pasaportës dhe njohjes së fytyrës, mund të kërkohen: gjurmët e gishtave të dorës, skanimi i ngjyrës dhe strukturës së syrit që ka model unik për çdo njeri, si dhe i pëllëmbës.

Kontrollet nuk bëjnë përjashtime sipas moshës: edhe fëmijët nën 14 vjeç dhe të moshuarit mbi 79 duhet t’u nënshtrohen.

Reklamë

Nuk përjashtohen as diplomatët dhe qytetarët kanadezë.

Të dhënat ruhen në arkivat federale për 75 vjet, duke e bërë secilin vizitor “të gjallë” digjitalisht për dekada.

Ky sistem ka shkaktuar reagime të ndryshme: baza MAGA e mbështet për “sigurinë kombëtare”, ndërsa juristët dhe aktivistët e të drejtave civile pretendojnë shkelje të privatësisë.

Pjesë e menaxhimit të të dhënave është kompania Palantir, themeluar nga Peter Thiel, aleat i ngushtë i Trump. Të dhënat mund të përdoren për analiza globale të sjelljeve, duke krijuar një “hartë” të fytyrave, lëvizjeve dhe zakoneve, sipas vizionit të Thiel për përdorimin e teknologjisë nga qeveritë.