×
  • Lajme
  • Botë / Qëndrimi i qartë

    OKB dënon sulmet e Hamasit në Izrael: Këto akte terrori s’kanë justifikim

    Reporteri
    09 Tetor 2023 | 20:11
    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres,

    OKB ka dalë me qëndrim të qartë për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar sulmet ndaj popullatës civile izraelite dhe ka kërkuar që t’i lirojnë pengjet, raporton Sky News, përcjell Reporteri.net.

    Ai ka thënë se “unë i kuptoj ankesat legjitime të popullit palestinez” por se “asgjë nuk mund të justifikojë këto akte terrori dhe vrasjen, gjymtimin dhe rrëmbimin e civilëve”.

    “Përsëris thirrjen time për t’i ndaluar menjëherë këto sulme dhe për të liruar të gjithë pengjet”.

    Ai po ashtu ka thënë se është “thellësisht i alarmuar” nga raportet për vdekjen e 500 palestinezëve në sulmet hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.

    Lufta Izrael-Hamas: Çfarë ka ndodhur dhe çka e ka shkaktuar konfliktin?

    “Ndonëse i kuptoj shqetësimet legjitime të sigurisë së Izraelit, dua t’ia rikujtoj Izraelit se operacionet ushtarake duhet të kryhen në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

    “Civilët duhet të respektohen dhe mbrohen në çdo kohë dhe infrastruktura civile nuk duhet të jetë kurrë objektivi”.

    Ai tha se OKB-ja ka pranuar raporte për sulme izraelite që goditën objektet shëndetësore brenda Gazës, si dhe blloqe banimi dhe një xhami.

    Guterres shtoi se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga njoftimi se Izraeli do të niste një rrethim të plotë të Rripit të Gazës.

    Ai tha se OKB-ja do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ofruar ndihmë për t’iu përgjigjur nevojave humanitare në zonë.

    Ai paralajmëroi gjithashtu për përhapjen e mundshme të dhunës në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme.

    “Është koha për t’i dhënë fund këtij rrethi vicioz gjakderdhjeje, urrejtjeje dhe polarizimi,” shtoi ai, ndërsa bëri thirrje për një paqe të negociuar midis izraelitëve dhe palestinezëve. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!