×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Organizata Botërore Meteorologjike: Viti 2025, një nga vitet më të thata për lumenjtë në dekada

    Reporteri
    17 Shtator 2026 | 14:27

    Organizata Botërore Meteorologjike, OBM ka deklaruar se viti 2025 ishte një nga vitet më të thata në dekada për lumenjtë në të gjithë botën. Më tej ajo theksoi rënien e rezervave të ujit në sipërfaqen e Tokës dhe duke ngritur shqetësime në lidhje me mjaftueshmërinë e ujit në të ardhmen.

    “Rezervuarët e ujit të Tokës – liqenet, bimësia, akulli, bora – kanë qenë në rënie për një dekadë,” sipas raportit të OBM-së mbi gjendjen e burimeve globale të ujit.

    Agjencia e OKB-së paralajmëroi për ndikimet serioze të ardhshme të këtij trendi, pasi rezervat e ujit shërbejnë si një tampon për planetin në vitet me reshje jashtëzakonisht të ulëta, si ky vit.

    “Po e shterojmë llogarinë tonë të kursimeve. Rezervat globale të ujit në tokë kanë qenë në një trend rënës që nga viti 2014-16, një trend i vazhdueshëm, një paralajmërim që ka vazhduar për një dekadë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo.

    Sipas të dhënave të OBM-së, prurje më të ulëta se normalet u regjistruan në më shumë se një të tretën e pellgjeve të lumenjve në botë, në një vit që renditet ndër më të thatët për lumenjtë globalisht në 35 vitet e mbledhjes së të dhënave.

    Megjithatë, disa pellgje lumenjsh – si në pjesë të Azisë Jugore – përjetuan një sasi të tepërt uji, gjë që tregon se cikli i ujit po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm, siç theksohet në raport.

    Në të njëjtën kohë, në vitin 2025, një humbje e madhe e akullnajave u vu re në të gjitha rajonet e botës për të katërtin vit radhazi, gjë që do të çojë në pasiguri afatgjatë në lidhje me burimet ujore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!