×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Për herë të parë, një grua laike merr post të rëndësishëm në Kishën Katolike Romake

    Reporteri
    03 Qershor 2026 | 8:24

    Papa Leoni i XIV ka emëruar për herë të parë një grua laike në një nga postet më të larta drejtuese të Kishës Katolike Romake.

    Maria Montserrat Alvarado, aktualisht presidente e rrjetit mediatik katolik amerikan Eternal World Television Network, do të marrë drejtimin e Dikasterit për Komunikimin në Vatikan, një departament kyç i krijuar nga Papa Françesku në vitin 2015.

    Alvarado, e lindur në Meksikë dhe shtetase amerikane që prej vitit 2008, do të nisë detyrën më 1 nëntor, duke zëvendësuar Paolo Ruffinin, i cili po del në pension. Dikasteri që ajo do të drejtojë mbikëqyr faqen zyrtare të lajmeve të Vatikanit, radion, gazetën, zyrën e shtypit, shtëpinë botuese dhe arkivin filmik të Selisë së Shenjtë.

    Sipas Vatican News, Alvarado është gruaja e parë që nuk vjen nga radhët fetare që emërohet prefekte e një dikasteri të Selisë së Shenjtë. Në reagimin e saj të parë, ajo e cilësoi emërimin si “të papritur”, por tha se e pranon detyrën me dëshirën për t’i shërbyer Papa Leo XIV në fillimin e pontifikatit të tij.

    Emërimi i saj shihet si vazhdim i reformave të nisura nga Papa Françesku, i cili gjatë 12 viteve në krye të Kishës Katolike rriti ndjeshëm rolin e grave në administratën e Vatikanit. Pak para vdekjes së tij, Françesku emëroi dy murgesha në poste të larta drejtuese dhe kritikoi atë që e quajti “mentalitet shovinist” brenda Kishës.

    Papa Leo XIV ka sinjalizuar gjithashtu se synon të vazhdojë modernizimin e komunikimit të Vatikanit. Në fund të qershorit ai do të mbledhë kardinalët për të shqyrtuar efektivitetin e komunikimit kishtar dhe mënyrat për ta bërë më të qartë misionin e Kishës në botë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!