Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, ka deklaruar se do të mbrojë çdo anëtar të administratës së presidentit Donald Trump që mund të bëhet objekt i hetimeve nga demokratët, të cilët fituan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Blanche, ish-avokat personal i Trump, theksoi se një nga detyrat e tij kryesore në krye të Departamentit të Drejtësisë është përfaqësimi dhe mbrojtja ligjore e administratës.
Deklaratat e tij vijnë pasi Trump udhëzoi Departamentin e Drejtësisë të hetojë demokratët, të cilët sipas tij mund të përdorin shumicën e re në Kongres për të kërcënuar persona me ndjekje penale apo forma të tjera ndëshkimi.
“Puna ime si Prokuror i Përgjithshëm është, ndër të tjera, të mbroj administratën”, deklaroi Blanche për CNN.
Ai mori si shembull Stephen Miller, këshilltarin e fuqishëm të Trump dhe një nga arkitektët e politikës së dëbimeve masive të emigrantëve, i cili së fundmi u emërua në postin e shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
“Nëse ata e vënë në shënjestër Stephen Miller, sigurisht që Departamenti i Drejtësisë do të jetë aty për ta mbrojtur”, u shpreh Blanche.
Sipas tij, kjo është pjesë e funksionit normal të institucionit, pasi juristët e Departamentit të Drejtësisë përfaqësojnë edhe anëtarët e pushtetit ekzekutiv.
Demokratët: Blanche po vepron si avokat personal i Trump
Deklaratat e Prokurorit të Përgjithshëm kanë shkaktuar reagime nga demokratët. Robert Garcia, përfaqësuesi kryesor demokrat në Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve, e akuzoi Blanche se po vazhdon të sillet si “avokat personal i Donald Trump”.
“E vetmja gjë që ai dëshiron është të mbrojë Donald Trump, anëtarët e kabinetit të tij dhe njerëzit e administratës. Kjo nuk është detyra e tij”, deklaroi Garcia për CNN.
Garcia, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes nga janari, theksoi se Kongresi ka kompetencën të hetojë korrupsionin, të miratojë ligje dhe të parandalojë abuzimet e mëtejshme.
Ai akuzoi gjithashtu Trumpin dhe familjen e tij për përfitime të padrejta financiare që nga fillimi i presidencës, duke paralajmëruar se do të duhet të japin përgjigje për pasurimin e tyre.
Trump përballet me presionin e Kongresit të kontrolluar nga demokratët
Nga janari, Trump do të përballet me një realitet të ri politik, pasi demokratët fituan kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu edhe të Senatit.
Kjo shumicë u jep demokratëve mundësinë të nisin hetime përmes komisioneve parlamentare, të thërrasin zyrtarë për të dëshmuar dhe të kërkojnë dokumente nga administrata.
Hetimet mund të hapin rrugën edhe për procedura të mundshme shkarkimi ndaj presidentit. Megjithatë, një vendim i tillë do të ishte i vështirë të miratohej, pasi në Senat kërkohet një shumicë prej dy të tretash. /Panorama