Sot pati të shtëna me armë në Minneapolis, ku agjentët federalë të Agjencisë Federale të Imigracionit vranë një person.
Sipas raportimeve fillestare, një burrë që po merrte pjesë në protesta është qëlluar me armë. Një video e incidentit, e verifikuar nga NBC News, u postua në mediat sociale, ku tregohet një agjent që qëllon një burrë në rrugë.
Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, tha se 37-vjeçari, që besohet të jetë shtetas amerikan dhe banor i Minneapolis, u qëllua me armë zjarri. Departamenti i Sigurisë Kombëtare publikoi një foto të një arme zjarri me dy karikatorë që i dyshuari mbante me vete dhe tha se po mblidhnin informacione shtesë. Shefi i policisë së Minneapolis vuri në dukje se viktima ishte pronar i ligjshëm i armës dhe kishte leje për ta mbajtur atë.
Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Tricia McLaughlin, i tha BBC -së se oficerët po kryenin një “operacion të synuar” ndaj “një të huaji të paligjshëm të kërkuar për sulm të dhunshëm” kur dikush “iu afrua atyre me një pistoletë gjysmë-automatike”.
“Ata u përpoqën ta çarmatosnin të dyshuarin e armatosur, por ai rezistoi me dhunë”, tha McLaughlin. “Duke pasur frikë për jetën e tij dhe sigurinë e kolegëve të tij, agjenti qëlloi në mënyrë mbrojtëse. Mjekët menjëherë i ofruan kujdes mjekësor viktimës në vendngjarje, por ai u shpall i vdekur”, shtoi ajo.
Sipas Associated Press , 37-vjeçari që u vra ishte Alex Pretti , një teknik mjekësor në njësinë e kujdesit intensiv, njoftuan prindërit e tij.
