Dy anëtarë të forcave të rendit vdiqën pasi një helikopter i Departamentit të Sigurisë Publike të Arizonës u rrëzua gjatë një operacioni për t’iu përgjigjur një situate me sulmues aktiv.
Sipas ABC News, ekuipazhi i helikopterit tip Ranger, ishte nisur të ndihmonte Policinë e Flagstaff-it dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të mërkurën në mbrëmje, 4 shkurt 2026. Zëdhënësi i departamentit, rreshteri Kameron Lee, konfirmoi se gjatë operacionit ndodhi aksidenti fatal.
“Fatkeqësisht, gjatë incidentit helikopteri u rrëzua, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe të efektivit të policisë, i cili shërbente edhe si paramedik”, deklaroi Lee.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e viktimave.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se helikopteri Bell 407 u rrëzua rreth orës 22:15 pranë qytetit Flagstaff. Pas rrëzimit është raportuar edhe një zjarr. Mjeti ajror ishte prodhuar në vitin 2004.
Zona ku u rrëzua helikopteri, ndodhet në verilindje të vendit ku po zhvillohej operacioni ndaj një të dyshuari për të shtëna me armë.
Ndërkohë, i dyshuari për të shtënat pësoi plagë të lehta nga arma e zjarrit dhe u arrestua nga policia. Sipas autoriteteve, nga incidenti nuk pati persona të tjerë të lënduar.
FAA njoftoi se do të bashkëpunojë me Bordin Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) për hetimin e shkaqeve të aksidentit. Autoritetet federale priten të zhvillojnë një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.