Autoritetet bullgare kanë zbuluar një fermë të sofistikuar kanabisi të ndërtuar brenda një miniere të vjetër zinku, në kuadër të një hetimi për trafik droge dhe pastrim parash.
Lajmi u bë i ditur këtë të mërkurë, më 29 prill. Sipas policisë, tre persona janë vënë nën akuzë, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.
Deri më tani, zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Emil Borisov, bëri me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 70 kilogramë lëndë narkotike, 600 mijë euro para cash dhe një sasi municionesh.
“Miniera e dikurshme ishte e pajisur me infrastrukturë të teknologjisë së lartë dhe ka të ngjarë të përdorej për prodhim në shkallë të gjerë, me qëllim trafikimin jashtë vendit,” tha Borisov, citon Reuters.
Miniera ndodhet pranë fshatit Garlyano, në rrëzë të malit Osogovo, disa kilometra nga kufiri me Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet bënë të ditur se hetimet mund të zgjasin disa muaj, ndërsa po shqyrtohen pronësia e minierës dhe përmasat e plota të aktivitetit kriminal.