×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Rusia sulmon disa rajone të Ukrainës, Zelensky: Një ekip ukrainas ndodhet në SHBA për bisedimet e luftës

    Reporteri
    24 Mars 2026 | 13:55

    Shpërthime të fuqishme janë regjistruar në disa rajone të Ukrainës si pasojë e një sulmi masiv rus me dronë dhe raketa. Sipas autoriteteve vendase, të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa janë shënuar dëme të rënda në infrastrukturën civile dhe atë energjetike.

    Goditjen më të rëndë e mori qyteti i Zaporizhzhia-s, ku një dron goditi një ndërtesë banimi, duke shkaktuar një viktimë dhe pesë të plagosur.

    Edhe në Poltava raportohet për dy të vrarë dhe 11 të lënduar. Pamjet e publikuara tregojnë ekipet e zjarrfikësve teksa shuajnë zjarret në banesat private.

    Ndërkohë, shpërthime janë regjistruar edhe në Krime. Në portin e Sevastopolit, një shpërthim në një ndërtesë banimi la të vdekur dy persona. Megjithëse autoritetet ruse kanë nisur hetimet, ato kanë përjashtuar mundësinë e një shpërthimi gazi.

    Në rajonin e Kharkiv, njësitë ukrainase kanë neutralizuar dronë rusë.

    Ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se një ekip i nivelit të lartë ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar fundin e luftës dhe garancitë e sigurisë.

    “Ekipi ynë ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme për të gjithë ne që diplomacia të vazhdojë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Duhet të kuptojmë se sa e gatshme është pala ruse për të lëvizur drejt një përfundimi real, të ndershëm dhe të dinjitetshëm të luftës, veçanërisht tani kur tensionet gjeopolitike janë rritur për shkak të situatës me Iranin”, shprehet Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.

    Përveç diplomacisë, bisedimet në Uashington po fokusohen edhe te një marrëveshje e gjerë për dronët dhe një “plan prosperiteti” për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës pas luftës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!