Kryeqyteti i Arabisë Saudite, Riadi, u trondit këtë të enjte nga shpërthime të fuqishme.

Nxënës të shkollave ndërkombëtare dhe diplomatë u detyruan të strehohen për siguri.

Shpërthimet ndodhën në një moment kur konflikti mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani, po përshkallëzohet. Një ditë më parë, autoritetet saudite raportuan tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas sulmeve ndaj dy aeroporteve në vend.

Reklamë

Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite po zhvillon një kundërofensivë në Jemen. Riadi mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të këtij vendi.

Houthit sulmojnë aeroportin e Riadit

Huthit kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit, Sana, si dhe zona të mëdha të vendit prej më shumë se një dekade.

Pas disa vitesh qetësie relative, luftimet u rikthyen në korrik. Konflikti është shndërruar në një nga frontet e reja të luftës në Lindjen e Mesme. Që prej atëherë, luftëtarët Huthi kanë sulmuar rregullisht objektiva ushtarake dhe naftësjellëse në Arabinë Saudite.

Reklamë

Sulmet janë shtuar ditët e fundit, veçanërisht ndaj aeroporteve. Sot, Houthit thanë se kishin sulmuar me një raketë balistike aeroportin ndërkombëtar të Riadit.

Ata u bënë thirrje kompanive ajrore që të shmangin Arabinë Saudite. Sipas tyre, ky ishte paralajmërimi i fundit.

Më pas, gazetarët e AFP raportuan një seri shpërthimesh në kryeqytet. Ngjarja u konsiderua ndër episodet më të rënda që prej fillimit të luftës rajonale.

Strehohen nxënësit dhe diplomatët
Diplomatë të huaj u strehuan në zonën diplomatike të Riadit.

Reklamë

Edhe shkollat ndërkombëtare morën masa sigurie. Në disa raste, fëmijët u dërguan në bodrume për t’u mbrojtur.

Në zonën e biznesit të kryeqytetit, disa kompani evakuuan punonjësit e tyre.

Mbi 200 mijë njerëz janë zhvendosur në Jemen

Ndërkohë, luftimet vazhdojnë edhe në Jemen.

Reklamë

Më shumë se 330 persona janë vrarë që prej nisjes të hënën të operacionit ushtarak të quajtur “Agimi i Jemenit”.

Operacioni po zhvillohet nga forcat qeveritare jemenase, me mbështetjen ajrore të Arabisë Saudite.

Qëllimi është zmbrapsja e Houthi-ve.

Reklamë

Rebelët morën në shtator kontrollin e të gjithë vijës bregdetare të Jemenit në Detin e Kuq. Ata kanë forcuar gjithashtu kontrollin mbi ngushticën strategjike të Bab el-Mandeb.

Kjo ngushticë lidh rrugët detare mes Azisë dhe Evropës përmes Kanalit të Suezit.

Qeveria jemenase thotë se ka arritur fitore në disa fronte. Huthit e mohojnë se kanë humbur territore.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, rikthimi i luftimeve ka detyruar më shumë se 200 mijë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në Jemen.

Organizata ka paralajmëruar gjithashtu për mungesën e fondeve për të përballuar krizën e re humanitare.

Arabia Saudite kërkon ndihmë

Përballë sulmeve të vazhdueshme të Houthi-ve, Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë kërkuar mbështetje ndërkombëtare.

Kërkesa i është drejtuar edhe Shteteve të Bashkuara, por deri tani nuk ka pasur një përgjigje të konkretizuar.

Ndërkohë, Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite kanë rënë dakord të zbatojnë menjëherë një marrëveshje mbrojtjeje të nënshkruar në gusht në Mekë.

Të tre vendet thanë se do të dërgojnë forca dhe pajisje ushtarake në Arabinë Saudite dhe do t’i vendosin ato sa më shpejt. Sipas raportimeve, Riadi i ka kërkuar gjithashtu mbështetje edhe Sirisë.