Janë 32 akuza për të cilat Marius Borg do të duhet të përgjigjet gjatë procesit që do të hapet më 3 shkurt, por para se të ulet në bankën e të akuzuarve, djali i princeshës Mette-Marit ka pranuar fajin për disa prej tyre.

Familja mbretërore norvegjeze po kalon një moment të vështirë për shkak të akuzave të rënda ndaj djalit të adoptuar të mbretit të ardhshëm. Siç shkruan La Repubblica, Marius Borg Høiby do të përballet me 32 akuza, katër prej të cilave për dhunë seksuale ndaj katër grave të ndryshme, dhe mund të dënohet deri në 10 vite burg.

Në pritje të procesit, sot është shtuar një tjetër lajm tronditës: Prokuroria e Shtetit norvegjez ka vendosur të shtojë gjashtë akuza të reja. Më e rënda, edhe pse e konsideruar si episod i izoluar dhe i ndodhur kohë më parë, ka ndodhur në korrik 2020, kur Marius ka marrë të paktën 3.5 kilogramë marijuanë dhe e ka transportuar nga Lørenskog në Tønsberg, për ta dorëzuar dikujt tjetër. Një krim që 29-vjeçari e ka pranuar tashmë. Nuk dihet nëse ai është paguar për këtë. Sipas gazetës Aftenposten, ngarkesa mund të vlente mes 210 mijë deri në gjysmë milioni krona norvegjeze (rreth 18 mijë deri në 43 mijë euro).

Reklamë

Akuzave të reja u shtohen edhe pesë të tjera: dy lidhen me shkeljen e një urdhri ndalimi ndaj një ish-të dashure, ndërsa tre me shkelje të kodit rrugor.

Procesi ka tërhequr familjen mbretërore në qendër të një skandali të madh. I riu nuk është princ dhe nuk figuron në linjën e trashëgimisë së fronit, pasi ka lindur para martesës së Mette-Marit (atëherë nënë e vetme) me princin Haakon të Norvegjisë në vitin 2001, por është rritur në familjen mbretërore që kur ishte vetëm katër vjeç.

Pas tij, nga martesa e re kanë lindur dy fëmijë: Ingrid Alexandra, trashëgimtare e dytë e fronit norvegjez, sot 22 vjeç, dhe Sverre Magnus, 20 vjeç.

Për çfarë akuzohet Marius Borg

Gjithçka nisi në gusht 2024, kur Marius u arrestua për herë të parë, i akuzuar se kishte sulmuar të dashurën në apartamentin e tij në Frogner, Oslo. Atëherë, ai pranoi se vuante nga “çrregullime mendore” që nga adoleshenca dhe se kishte “luftuar kundër abuzimit me substanca”, duke premtuar: “do të rifilloj trajtimin dhe do ta marr shumë seriozisht. Përdorimi i drogës dhe diagnozat e mia nuk justifikojnë ngjarjen.” Më pas u transferua në Londër për rehabilitim, por në nëntor të po atij viti u arrestua sërish.

Reklamë

Në fjalimin e fundvitit, mbreti Harald pranoi se përballja me këtë situatë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Dhe nuk ishte i vetmi problem për familjen mbretërore. Monarku 88-vjeçar nuk gëzon shëndet të mirë, ndërsa princi Haakon duket ende i papërgatitur për të trashëguar fronin, pasi gjendja e bashkëshortes së tij, Mette-Marit, e prekur nga një sëmundje degjenerative dhe në pritje të një transplantimi të mundshëm të mushkërive, është përkeqësuar. Kjo e ka detyruar të tërhiqet nga detyrat zyrtare, pa një datë të caktuar për rikthimin.

Ndërkohë, në vitin 2024, princesha Märtha Louise bëri bujë pasi, pasi hoqi dorë nga detyrat mbretërore, u martua me shamanin amerikan Durek Verrett, i kritikuar nga familja dhe opinioni publik.

Mette-Marit dhe vajza e saj Ingrid Alexandra nuk u tërhoqën nga komentet për rastin e Marius Borg. Në fund të vitit 2025, princesha foli në një program televiziv, duke shprehur keqardhje për akuzat ndaj saj dhe Haakon si prindër, duke mohuar çdo përgjegjësi për “gjëra që nuk do t’i kishte bërë”. Disa media raportuan se ajo kishte marrë njoftim paraprak për arrestimin e parë të djalit në gusht 2024 dhe kishte bërë që të hiqeshin disa prova nga apartamenti i tij.

Sa për Ingrid-in, ajo është vendosur në Australi për studime dhe ka pranuar se situata është shumë e vështirë për të si motër, ashtu si për pjesën tjetër të familjes. Ajo ka theksuar se gjithmonë qëndron në krah të viktimave.

Reklamë