×
  • Lajme
  • Botë

    Stërnipi i Musolinit garon për Parlamentin Europian

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 10:32

    Stërnipi i ish-diktatorit fashist italian, Benito Musolini, po kandidon për zgjedhjet europarlamentare, që mbahen muajin e ardhshëm.


    Mediat italiane raportojnë se 51-vjeçari Kaio Xhulio Çesare Musolini do të garojë nën siglën e partisë së vogël ultradjathtiste “Vëllezërit e Italisë”.

    Ish-oficeri i nëndetëses thotë se ai e konsideron veten një postfashist me vizionin për të mbrojtur interesat e kombit dhe se frikërat për rikthimin e doktrinës famëkeqe janë thjesht imagjinare.

    “Fashizmi vdiq bashkë me stërgjyshin tim, dhe vlen vetëm të studiohet nga historianët. Por unë në botën ku jetojmë shoh shumë rreziqe të tjera, siç janë shtypja e mendimit të lirë, globalizmi, diktatura e të qenit poltikisht korrekt, emigracioni i pakontrolluar, kontrolli i plotë që ushtrojnë disa grupe të vogla financiare, apo ekstremizmi islamik.”

    Stërnipi i diktatorit fashist i shtohet të paktën dy të afërmve të tjerë që po ashtu militojnë politikisht në vend dhe në Parlamentin Europian.

    Por pas shpalljes së kandidaturës së tij fundjavën e kaluar, Çezare Musolini njoftoi se faqja e tij personale ishte fshirë nga rrjeti social, Facebook, së bashku me kontot e disa liderëve neofashiste italianë.

    Stërgjyshi i tij, Benito Musolini, i njohur ndryshe si Duçe, drejtoi Italinë për dy dekada shekullin e kaluar, duke e udhëhequr vendin në Luftën e Dytë Botërore në aleancë me liderin nazist të kohës, Adolf Hitlerin, madje duke urdhëruar edhe pushtimin e Shqipërisë në prill të vitit 1939.

    Partitë neofashiste kanë mbetur pjesë e peizazhit politik italian të pasluftës, por mbështetja dhe promovimi i fashizmit në vend konsiderohet krim

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!