“Nuk mund ta imagjinoj që të ketë ndonjë profesion më të rrezikshëm,” u tha presidenti Donald Trump gazetarëve, vetëm pak orë pasi ai ishte në qendër të një tjetër incidenti të madh sigurie.
Ndërsa një ushtri e vogël agjentësh të Shërbimit Sekret e bën presidentin ndoshta personin më të mbrojtur në botë, mbajtja e tij i sigurt po rezulton të jetë gjithçka, përveçse e lehtë.
Fillimisht ishte atentati në Butler, Pensilvani, në verën e vitit 2024, kur një plumb i preku veshin. Vetëm 64 ditë më vonë, Trump ishte sërish objektiv i një atentatori të mundshëm, ndërsa luante golf në fushën e tij në Florida.
Dhe tani, vetëm pak orë pasi të shtënat prishën atmosferën festive të darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Hilton në kryeqytetin amerikan, siguria e Trump është sërish nën vëzhgim.
Ndërsa motivi dhe objektivi i saktë i autorit të dyshuar, 31-vjeçarit Cole Tomas Allen, mbeten të paqarta, po shtohen pyetjet se si një person i armatosur mundi të afrohej kaq shumë me presidentin.
Mes tyre është edhe niveli i kontrollit të sigurisë në hotelin ku ndodheshin disa nga politikanët, diplomatët dhe gazetarët më të rëndësishëm të Uashingtonit.
Gary O’Donoghue, korrespondenti kryesor i BBC-së për Amerikën e Veriut, i cili ndodhej në darkë, tha se megjithëse rrugët rreth Washington Hilton ishin mbyllur për orë të tëra, siguria në vetë ambientin “nuk ishte veçanërisht e fortë”.
“Njeriu te dera jashtë vetëm i hodhi një sy shumë sipërfaqësor biletës sime, nga afro dy metra larg,” shkroi ai.
Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara në rrjetet sociale nga Trump, tregojnë të dyshuarin duke vrapuar përmes një pike kontrolli të Shërbimit Sekret, e cila ndodhej në katin mbi sallën e madhe. Autoritetet kanë thënë se ai kishte me vete një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika.
Ai shkëmbeu zjarr me oficerët përpara se të neutralizohej.
Wolf Blitzer i CNN tha për rrjetin se e pa të dyshuarin të qëllonte disa herë me një armë “shumë, shumë serioze”.
Presidenti më pas publikoi një foto të një burri pa bluzë të shtrirë në dysheme, me duart e lidhura pas shpine, ndërsa përreth tij qëndronin oficerë të Shërbimit Sekret.
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche, i tha NBC News se dukej sikur objektivi i tij ishin zyrtarë të administratës, “me gjasë edhe vetë presidenti”.
Policia ka thënë se Cole Tomas Allen ishte mysafir në Washington Hilton, i cili vazhdoi të funksiononte si hotel, pavarësisht se në të njëjtën godinë ndodheshin disa nga njerëzit më të pushtetshëm në botë.
Ish-ambasadori britanik në Uashington, Kim Darroch, i cili ka marrë pjesë edhe më parë në darkat e korrespondentëve, ishte kritik ndaj mënyrës si ishte organizuar siguria.
“Nëse ishe aty [si mysafir hoteli] dhe kishe qëllime të këqija për të hyrë në këtë darkë, kishte vetëm një pengesë sigurie që duhej të kaloje… dhe pastaj ishe brenda në sallë,” i tha ai BBC-së në emisionin Sunday with Laura Kuenssberg.
Vetë Trump më vonë tha se Hilton “nuk është një ndërtesë veçanërisht e sigurt”, duke shtuar se incidenti tregonte rëndësinë e sallës së re të Shtëpisë së Bardhë që është në ndërtim, por që aktualisht është objekt procesi gjyqësor.
“Në fakt është një sallë më e madhe dhe shumë më e sigurt. Është e mbrojtur nga dronët. Ka xham antiplumb. Ne kemi nevojë për sallën e madhe,” tha ai.
Presidenti vlerësoi gjithashtu “trimërinë” e Shërbimit Sekret, i cili e largoi atë dhe zëvendëspresidentin JD Vance nga skena, duke thënë se ata “bënë një punë të shkëlqyer”.
Ekspertë të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë presidenciale kanë thënë se fakti që personi i armatosur nuk arriti kurrë të hynte në sallën kryesore tregon se masat e sigurisë funksionuan.