Pas vizitës së Volodymyr Zelensky-t, tani është radha e Benjamin Netanyahu-t.
Kryeministri izraelit ndodhet në Mar-a-Lago, Florida, për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e quan “një nga miqtë më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.
Takimi, i kërkuar nga vetë Netanyahu, është cilësuar nga ekspertët një “samit emergjence”. Netanyahu ka udhëtuar pa gazetarë dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë deri tani.
Sipas Axios, ai ka humbur mbështetjen e pjesës më të madhe të administratës amerikane, nga senatorë e negociatorë të ndryshëm, ndërsa i ka mbetur vetëm Trump. Presidenti amerikan kërkon përparim në fazën e dytë të armëpushimit në Gaza dhe synon të shpallë në janar një Forcë Stabilizimi Ndërkombëtare dhe krijimin e një bordi paqeje, por Netanyahu e kushtëzon nisjen e fazës me kthimin e pengut të fundit dhe çarmatosjen e Hamasit.
Vizita në Florida mund të shërbejë gjithashtu për të siguruar mbështetje politike dhe për të kënaqur pjesën më të djathtë të koalicionit të tij, ndërsa strategjia e tij e ashpër për Lindjen e Mesme përballet me nevojën amerikane për stabilitet.
Në Liban, Izraeli kërcënon me ofensivë nëse Hezbollah nuk deponon armët deri në fund të vitit, ndërsa në Iran, Netanyahu shqetësohet për prodhimin e raketave balistike dhe synon të diskutojë opsionet ushtarake me Trump. Ai madje publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale ku shihet duke pilotuar një bombardues amerikan B-2 me presidentin amerikan.
Takimi shërben edhe për fushatën elektorale të Netanyahut për zgjedhjet e tetorit. Trump është jashtëzakonisht popullor në Izrael, dhe Netanyahu shpreson të përdorë këtë mbështetje për të rritur sondazhet.
Fushata pritet të jetë e gjatë dhe e ndërlikuar, ndërsa grupi iranian i hakerave Handala pretendon se ka marrë nën kontroll telefonin e shefit të stafit të Netanyahut dhe do të publikojë informacione lidhur me skandalin “Qatargate” që e ndjek prej kohësh kryeministrin izraelit.