Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë të tronditur nga incidenti i së dielës në ambientet e “Washington Hilton”, ku ajo që duhej të ishte një mbrëmje gala, u shndërrua në një skenë krimi.
Lidhur me ngjarjen, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dha një intervistë për CBS News, ku u shpreh se ka qenë i qetë në momentin e incidentit, pasi nuk e kishte kuptuar seriozitetin e situatës.
Sipas tij, i dyshuari i sulmit është një person me probleme të rënda të shëndetit mendor.
“Doja të shihja çfarë po ndodhte dhe nuk po ia bëja të lehtë sigurisë. Doja të kuptoja çfarë po ndodhte. Dhe deri në atë moment filluam të kuptonim se ndoshta ishte një problem i rëndë. Dhe ndryshe nga ajo që do të ishte zhurmë normale nga një sallë balloje, të cilën e dëgjon gjithë kohën. Dhe isha i rrethuar nga njerëz të shkëlqyer. Ndoshta i bëra ata të vepronin pak më ngadalë. U thashë: “Prit një minutë, prit një minutë. Më lër të shoh. Prit një minutë”, tha Trump.
Sipas burimeve, i dyshuari i sulmit, i identifikuar si Cole Tomas Allen 31 vjeç, ka synuar të godiste zyrtarë të administratës, duke i renditur sipas hierarkisë.
Hetuesit i kanë gjetu një letër që ai kishte në hotelin ku qëndronte, ku justifikonte veprimet e tij duke iu referuar teologjisë së krishterë dhe duke e pretenduar se po mbronte të dëmtuarit nga politikat qeveritare.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë për zyrtarët e lartë amerikanë, veçanërisht në aktivitete publike me pjesëmarrje të gjerë.
“Ajo që ndodhi tregon se kemi nevojë për siguri shumë më të fortë. Nuk mund të lejojmë që ngjarje të tilla të ndodhin”, përfundoi presidenti amerikan.
Presidenti Trump ka përdorur këtë situatë edhe për të promovuar projektin e tij për ndërtimin e një salle të re eventesh në Shtëpinë e Bardhë, të cilën e konsideron më të sigurt për organizime të tilla.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Cole Tomas Allen, u arrestua pasi hapi zjarr gjatë darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku shënjestra ishte presidenti dhe anëtarët e administratës.