×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Trump mbron luftën me Iranin, thotë se po fiton “me epërsi të madhe”

    Reporteri
    20 Prill 2026 | 21:42

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka publikuar sot një seri postimesh në platformën Truth Social, të përqendruara në mbrojtjen e luftës në Iran dhe duke kritikuar mbulimin e saj. Trump ka bërë katër postime brenda rreth një ore.

    Në postimin e parë, Trump tha se marrëveshja për të cilën po punon administrata e tij do të jetë shumë më e mirë se marrëveshja bërthamore që ish-presidenti Barack Obama arriti me Iranin në vitin 2015, megjithëse nuk dha detaje se si do të ndryshonte ndjeshëm, raporton NBC News, përcjell Reporteri.net.

    “MARRËVESHJA që po bëjmë me Iranin do të jetë SHUMË MË E MIRË se JCPOA, e njohur zakonisht si ‘Marrëveshja Bërthamore me Iranin’, e hartuar nga Barack Hussein Obama dhe Joe Biden i përgjumur, një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë që lidhen me sigurinë e vendit tonë. Ajo ishte një rrugë e sigurt drejt armës bërthamore, gjë që nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me marrëveshjen për të cilën po punojmë” shkroi Trump në atë postim..

    Në postimin e dytë, Trump tha se nuk është nën presion për të arritur një marrëveshje me Iranin.

    “Po lexoj lajme të rreme që thonë se jam nën ‘presion’ për të bërë një marrëveshje. KJO NUK ËSHTË E VËRTETË! Nuk jam nën asnjë presion, megjithatë gjithçka do të ndodhë relativisht shpejt!” shkroi ai.

    “Koha nuk është kundërshtari im; e vetmja gjë që ka rëndësi është që më në fund, pas 47 vitesh, të rregullojmë rrëmujën që presidentët e tjerë e lanë të ndodhë sepse nuk patën guximin apo vizionin për të bërë atë që duhej bërë në lidhje me Iranin”, ka shkruar tutje Trump.

    Në postimin e tretë, Trump tha se po “fiton luftën ME EPËRSI TË MADHE”, teksa kritikoi mediat për mbulim, duke thënë se po e paraqesin sikur SHBA-ja po e humb luftën.

    Trump shtoi se “BLOKADA, të cilën nuk do ta heqim derisa të ketë një ‘MARRËVESHJE’, po e shkatërron plotësisht Iranin.”

    Në postimin e katërt, Trump la të kuptohet se kufizimet e Iranit mbi trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit po i sjellin përfitime SHBA’së.

    “Udhëheqja iraniane ka detyruar qindra anije të drejtohen drejt Shteteve të Bashkuara, kryesisht në Teksas, Luiziana dhe Alaska, për të marrë naftën e tyre — shumë faleminderit! Presidenti DONALD J. TRUMP,” përfundon postimi i tij./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!