×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    U puthën në publik, dy gratë e arrestuara në Ugandë rrezikojnë burgim të përjetshëm

    Reporteri
    02 Mars 2026 | 12:23

    Dy gra janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim prej një jave në Ugandë pasi dyshohet se u panë duke u puthur në publik, një akt i konsideruar si “aktivitet mes të njëjtës gjini” që mund të çojë në burgim të përjetshëm në këtë vend të Afrikës Lindore.

    Wendy Faith, një muzikante 22-vjeçare e njohur si Torrero Bae, dhe Alesi Diana Denise, 21 vjeçare, u ndaluan pasi policia bastisi dhomën e tyre me qira në qytetin Arua, në veriperëndim të Ugandës, javën e kaluar.

    Policia tha se kishte marrë informacione nga komuniteti se të dyja gratë ishin përfshirë në “akte të çuditshme dhe të pazakonta, të besuara si seksuale”, përveçse ishin parë duke u puthur në mes të ditës.

    Gjithashtu u pretendua se shumë gra mblidheshin shpesh në banesën e tyre, gjë që çoi në arrestimin e tyre nën akuzën e praktikimit të homoseksualitetit.

    The Guardian shkruan se që prej arrestimit, ato ndodhen në paraburgim dhe nuk dihet nëse apo kur do të ngrihen formalisht akuzat kundër tyre.

    Presidenti autokratik i Ugandës, Yoweri Museveni, nënshkroi në maj 2023 Ligjin Kundër Homoseksualitetit, një nga ligjet më të ashpra në botë kundër komunitetit LGBTQ+, që parashikon burgim të përjetshëm për marrëdhënie mes të njëjtës gjini dhe dënim me vdekje për “homoseksualitet të rënduar”.

    Organizatat e të drejtave të njeriut dhe aktivistët kanë denoncuar rritjen e rasteve të ngjashme, ku njerëzit arrestohen, ngacmohen dhe shantazhohen vetëm mbi bazën e identitetit apo marrëdhënieve të tyre.

    Frank Mugisha, drejtues i organizatës “Sexual Minorities Uganda”, tha se rasti i dy të rejave është i padrejtë dhe alarmues, duke shtuar se raste të tilla po shtohen me shpejtësi në gjithë vendin.

    Raporte të fundit tregojnë se qindra persona të komunitetit LGBTQ+ janë targetuar që prej hyrjes në fuqi të ligjit, duke u përballur me diskriminim, dhunë dhe pasiguri të thellë.

    Aktivistët u kanë bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë menjëherë survejimin, ngacmimin dhe arrestimet e individëve të perceptuar si LGBTQ+, ndërsa i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mos qëndrojë indiferent ndaj situatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!