Ukraina ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme “planin e paqes” të SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit, duke hequr disa nga kërkesat maksimaliste të Rusisë, kanë thënë persona të familjarizuar me negociatat, teksa liderët evropianë paralajmëruan të hënën se asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet shpejt.
Volodymyr Zelenskyy mund të takohet me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më vonë këtë javë, sipas The Guardian, në mes të një vale telefonatash mes Kievit dhe Uashingtonit. Ukraina po kërkon që Evropa të përfshihet në bisedime.
Plani fillestar 28-pikësh SHBA-Rusi u hartua muajin e kaluar nga Kirill Dmitriev, i dërguar i posaçëm i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trump-it, Steve Witkoff. Ai kërkon që Ukraina të tërhiqet nga qytetet që kontrollon në rajonin lindor të Donbasit, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të mos i bashkohet NATO-s.
Gjatë negociatave të së dielës në Zvicër – të udhëhequra nga sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, dhe shefi i kabinetit të Zelenskyyt, Andriy Yermak – plani u rishikua në mënyrë të konsiderueshme. Tani përfshin vetëm 19 pika. Kievi dhe partnerët e tij evropianë thonë se vija aktuale e frontit duhet të jetë pika fillestare për diskutimet territoriale.
Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të tokave të pushtuara ushtarakisht nga Rusia dhe se Kievi duhet të marrë vetë vendimet për anëtarësim në BE dhe NATO – diçka që Kremlini dëshiron ta vërë në veto ose t’i vendosë kushte. Zëvendësministri i parë i jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, i tha Financial Times se çështje të tilla janë “vendosur në kllapa” që Trump dhe Zelenskyy të vendosin më vonë.
Të hënën, Zelenskyy tha: “Aktualisht, pas Gjenevës, ka më pak pika, jo më 28, dhe shumë elemente të sakta janë përfshirë në këtë kornizë”, duke shtuar se çështjet e ndjeshme do të diskutohen me Trumpin.
Rubio i quajti bisedimet e së dielës “shumë shumë pozitive”. Duke shkruar në Truth Social të hënën, Trump – i cili disa ditë më parë kishte akuzuar drejtuesit ukrainas për “zero mirënjohje” – mbajti gjithashtu një ton pozitiv.
“A është me të vërtetë e mundur që po bëhet përparim i madh në Bisedimet e Paqes mes Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. ZOTI E BEKOFTË AMERIKËN!”, shkroi ai.
Delegacioni ukrainas informoi Zelenskyyn për bisedimet të hënën pasi u kthye në Kiev nga Gjeneva. Ata e përshkruan versionin më të fundit të planit si më realist. Ndërkohë, Zelenskyy foli me nënpresidentin amerikan, JD Vance, dhe i kërkoi atij të përfshijë vendet evropiane në proces. Vance raportohet se u pajtua.
Por në shenjën më të qartë deri tani se plani fillestar 28-pikësh – i konsideruar gjerësisht si i favorshëm për Moskën – ende bie ndesh me disa kërkesa kyçe të Kremlinit, këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Putinit tha të hënën se Moska do të kërkojë ta “ripunojë” pjesë të tij.
“Na u dha një lloj drafti … i cili do të kërkojë punim të mëtejshëm,” tha Yuri Ushakov, duke shtuar se “shumë dispozita” të planit dukeshin të pranueshme për Rusinë, por të tjerat do të “kërkojnë diskutime dhe shqyrtime shumë të detajuara mes palëve”.